SHBA, shkarkohet zv.komandanti i marinës

10/10/2013 00:00

Një oficer i lartë i Marinës Amerikane, që mbikëqyr forcat e armëve bërthamore të vendit, është shkarkuar nga detyra. Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës.

Admirali Tim Giardina, numri dy i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara, ndodhet nën hetim për aktivitete ilegale kumari. Ai akuzohet se ka falsifikuar fisha me vlerë të konsiderueshme monetare në një kazino të Ajouas.

Oficeri Giardina është ulur në nivelin e admiralit me dy yje dhe do të caktohet në një detyrë tjetër në vartësi të rezultatit të hetimeve. Ditën e mërkurë, zëdhënësi i Marinës së SHBA, John Kirby njoftoi shkarkimin e Giardinas si numri dy i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Admirali, një oficer karriere i nëndetëseve, u pezullua nga detyra më 3 shtator, pasi ushtria nisi një hetim pas dyshimeve se ai kishte përdorur fisha të falsifikuara në një kazino jo shumë larg bazës së tij në lindje të Nebraskës.

Çështja po menaxhohet nga njësia Naval Crime Investigation Service, pasi ai është i dyshuari kryesor për krimin. Në shtator, agjenti special David Dales nga Divizioni i Ajouas i NCIS tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se bëhej fjalë për një shumë të konsiderueshme parash.

Ende nuk dihet nëse veprimet e admiralit Giardina në kazinonë “Horseshoe Casino” kanë kompromentuar sigurinë kombëtare ose Komandën Strategjike.

Komanda në fjalë, që mbikëqyr çdo gjë që nga raketat bërthamore tokësore deri tek operacionet hapësinore të satelitëve ushtarakë, ndodhet në një bazë ajrore në afërsi të Omahas, në Nebraska.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB