Vassiliki Stamati, bashkëshortja e ish-ministrit grek të Mbrojtjes Akis
Tsochatzopoulos, është transferuar nga burgu në spitalin psikiatrik të
Dafnit, në periferi të Athinës.

Stamati u dënua tre ditë më parë nga gjykata me 12 vjet burg në kuadër të procesit për pastrim parash ku ishte përfshirë edhe bashkëshorti i saj.

Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë nga zyra e avokatit të saj, gruaja është transferuar në spital pasi ka humbur ndjenjat për arsye ende të panjohura.

Në seancën gjyqësore të tre ditëve më parë, bashkëshorti i saj, ministër i Mbrojtjes i Greqisë nga viti 1997 në 2001, u dënua me 20 vjet burg për akuzat pastrim parash, përfitim të ardhurash nga veprimtari të paligjshme dhe evazion fiskal.

Tsochatzopoulos akuzohej se kishte marrë ryshfete nga marrëveshjet ndërqeveritare për blerje armësh në këto vite, çka u vërtetua nga hyrja e shumave kolosale të parave në llogaritë e tij bankare, duke dëmtuar shtetin me më shumë se 55 milionë euro.

Ai ishte dënuar gjithashtu marsin e kaluar me tetë vjet burg për mosdeklarim të burimeve nga të cilat ka përfituar pasurinë e tij dhe deklarata të rreme të ardhurash për vitet 2006-2009.

Në këtë proces gjyqësor që vazhdoi për 5 muaj, i pari për natyrën e tij në Greqi, morën dënime të rënda edhe 17 nga 19 të akuzuarit e tjerë, kryesisht bashkëpunëtorë të tij.

Tsohatzopulos, 74 vjeç, për disa vota mund të ishte bërë edhe kryeministër i vendit në vitin 1996, pas vdekjes së liderit të PASOK-ut, Andrea Papandreu.

Top Channel