Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç do ta vizitojë Kosovën më 19 tetor,
duke u ndalur në Graçanicë, nga ku do t’iu bëjë thirrje serbëve që të
marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Gazeta serbe “Politika” citon pohimin e Daçiç, sipas të cilit deklarata e kryeministrit të Kosovës, se zyrtarët serbë mund të vizitojnë vetëm manastiret në jug të lumit Ibër është fushatë zgjedhore e Hashim Thaçit.

“Ne si shtet i Serbisë kemi interes t’iu bëjmë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe në këtë mënyrë të marrim pjesë në fushatë”, ka thënë Daçiç.

Pas takimeve të radhës në Bruksel, Daçiç tha se është arritur marrëveshja dhe se nuk ka kufizime lidhur me këtë çështje.

“Kjo nuk është ndihmë për Hashim Thaçin, por ndihmë për popullin tonë, që të kemi organet tona në Kosovë“, tha Daçiç dy ditë më parë.

Megjithatë, kryeministri serb theksoi se në Bruksel ishte rënë dakord që vizitat në Kosovë nga Serbia të jenë korrekte dhe të mos përfshihen në fushatën elektorale.

Por Serbia në fakt mbështet vetëm një grup politik në Kosovë dhe serbët e tjerë për qeverinë nuk janë të denjë për votën e qytetarëve.

Ndalesa që Prishtina zyrtare i kishte bërë Daçiç dhe politikanëve të tjerë serbë për të hyrë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore bëri që Beogradi të kërcënonte me ndërprerjen e bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, nën ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Top Channel