Oliver Ivanoviç u ka tërhequr vërejtjen zyrtarëve të Serbisë që të mos
mbajnë anën e “Iniciativës Qytetare Serbe” në zgjedhjet e 3 nëntorit,
duke konstatuar se kështu do të bëjnë vetëm dëme.

Ai është kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës dhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit garon me “Iniciativën Qytetare, Serbia, Demokracia, Drejtësia”.

Në një intervistë për portalin lajmi.net, Ivanoviç ka thënë se deklarata e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç në favor “Listës Serbe” mund ta dëmtojë procesin demokratik zgjedhor dhe të krijojë përçarje mes serbëve në Kosovë.

“Qeveria e Serbisë mund të dëmtojë procesin demokratik të zgjedhjeve nëse vazhdon të veprojë siç është duke bërë tani, pasi momentalisht ajo është duke përkrahur një subjekt politik”, ka thënë Ivanoviç.

Sipas tij, zyrtarët serbë nuk duhet të mbështesin një subjekt politik, por vetëm procesin zgjedhor në tërësi. “Një anim i tillë mund të krijojë incidente mes subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje. Do të ishte më mirë që ne të gjithë së bashku të ishim kundër atyre që janë kundër zgjedhjeve”, ka theksuar Ivanoviç.

Politikani serb është shprehur se një fushatë me premtime për vende të reja pune dhe përfitime të tjera është e padobishme.

“Unë jam kundër fushatës që është duke u bërë tani, kundër premtimeve për vende pune, për dhurim të miellit, grurit dhe çfarëdo tjetër. Ky është një drejtim i gabuar. Premtime të tilla nuk kanë të bëjnë me zgjedhjen e ideve dhe njerëzve më të mirë, por me atë se kush do të dhurojë më shumë. Kjo nuk është demokraci”, ka deklaruar Ivanoviç.

Ivanoviç, familja e të cilit muajin e kaluar u bë shënjestër e një sulmi, i ka bërë thirrje qeverisë në Beograd që të jetë e unifikuar me partitë që garojnë në zgjedhjet lokale dhe të luftojë grupet serbe që janë kundër procesit zgjedhor.

Ai ka shtuar se në veri të Kosovës ka grupe që paguhen nga persona të caktuar posaçërisht për të penguar subjektet politike serbe që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Top Channel