Liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, pas kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, takuan kryeministrin serb, Ivica Daçiç.

Në një delegacion të gjerë, shqiptarët shkuan për të kërkuar të drejtat e tyre dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve të jugut të Serbisë.

Qeveria e Serbisë u ka premtuar se të gjitha ministritë do të merren me problemin e tyre, do të ketë takimeve punuese dhe çdo tre muaj takime në qeveri.

Problemi i parë, sipas zyrtarëve serb është shëndetësia, ndërkaq shqiptarët presin që qeveria të heq pagesën e siguracionit për makinat nga Kosova që udhëtojnë drejtë Serbisë.

“I kemi kërkuar kryeministrit që të angazhohen ministritë për zgjidhjen e problemeve tona, me situatën ekomike që është shumë e vështirë pasi papunësia në rajonin tonë llogaritet në 80%. Gjithashtu ngritëm problemet e arsimit, tekseve mësimore dhe problemeve të tjera të edukimit, qarkullimit të lirë dhe realizimit të amnistisë së ish-ushtarëve të UÇPMB-së, pra ka shumë tema jetësore për bisedime”, deklaroi Riza Halimi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

“Ne kemi marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve dhe në bazë të tyre janë hartuar shtatë pika të cilat do të shqyrtohen në grupe, siç janë siguria, ekonomia, arsimi, drejtësia dhe të gjitha çështjet e tjera jetësore”, tha Zoran Stankoviç, kryetari i trupit koordinues për Jugun.
Megjithatë, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, nuk pajtohet se takimi ka treguar ndonjë gjë pozitive, madje ai thotë se Daçiç i është kërcënuar.

“Nuk është vërejtur seriozitetit nga Daçiç në kërkimin e një zgjidhje, në çështje kombëtari si flamuri apo siguria e qytetarëve shqiptarë, duke mos shprehur gatishmëri për hapjen e në këtë drejtim, ai pretendon se qytetarët shqiptarë duhet të integrohen plotësisht në institucionet e Serbisë, ndryshe thotë shkoni nga të doni”, deklaroi Mustafa.

Shqiptarët kërkuan demilitarizimin e Luginës së Preshevës, përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Qeveria e Serbisë në një njoftim për shtyp ka thënë se masat e parapara do të zbatohen dhe se tashmë ministritë kanë marrë detyrat e tyre.

Top Channel