Nxënësit shqiptarë në Shkup janë bërë edhe një herë prè e dhunës. Dhjetra të rinj shqiptarë dhe maqedonas, nga dy shkolla të kryeqytetit, janë përfshirë në një incident masiv mbrëmjen e së mërkurës, pas përfundimit të orëve mësimore.

Sipas nxënësve dhe profesorëve shqiptarë, incidenti, ku kanë ngelur tre të lënduar, është shkaktuar nga nxënësit maqedonas të shkollës së mesme “Vllado Tasevski”. Këta të fundit i kanë sulmuar me gurë moshatarët e tyre shqiptarë, të shkollës “Maria Kiri-Skllodovksa”, ndërkohë që ata po prisnin autobusë para objektit të shkollës.

“Pasi kemi dalë nga shkolla, kemi shkuar që të presim autobusin. Nxënësit nga shkolla përballë na kanë sulmuar me gurë. Tre persona janë të lënduar. Kanë qenë mbi 100 persona. Nuk jemi të sigurt këtu, çdo ditë vijmë në shkollë, me frikën se po na sulmon dikush”, tha Vaid  Idrizi, nxënës shqiptar.

Përpara këtyre dy shkollave të mesme, gjatë ditës së enjte, kishte prani të shtuar të policisë. Profesorët bëjnë thirrje që përpara objekteve mësimore të ketë vazhdimisht prani të forcave të rendit, për të parandaluar incidentet mes nxënësve.

“Duhet të merren masa nga të gjitha anët. Së pari, profesorët duhet të punojnë më shumë me nxënësit, por edhe Ministria e Brendshme duhet të marrë masa për të pasur mbrojtje më të mirë, që këto incidente të mos përsëriten në të ardhmen”, u shpreh Artan Zejnullahu, profesor.

Burime nga policia kanë konfirmuar rastin, duke mos dhënë shumë detaje mbi incidentin. Nxënësit shqiptarë në Shkup janë ballafaquar vazhdimisht gjatë viteve të fundit me probleme të tilla, ndërsa ushtruesit e dhunës, në të shumtën e rasteve, nuk janë ballafaquar me ligjin.

Top Channel