Polemikat për pastrimin e listës zgjedhore mes partive maqedonase në pushtet dhe opozitë kanë shtuar dyshimet e analistëve se pushteti po përgatitet që paralelisht me zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në pranëverën e vitit të ardhëshëm të shpallë edhe zgjedhje parlamentare.

Kryeministri Nikolla Gruevski ditë më parë i kërkoi kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Boris Kondarko, që është nga radhët e opozitës, të mos bllokojë procesin e pastrimit të listës zgjedhore.

Gruevski bëri thirrje që procesi për pastrimin e listës të përfundojë sa më parë, pasi siç tha ai, opozita vazhdimisht pas humbjes së zgjedhjeve akuzon pushtetin se po manipulon me listën zgjedhore.

Por opozita maqedonase ka theksuar se është Ministria e Brendshme ajo që përgatit listën zgjedhore dhe më pas e dergon në Komisionin Shtetërore të Zgjedhjeve. Sipas opozitës, MPB-ja në mënyrë kriminale regjistroi votues fiktivë në këtë listë me qëllim që VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit të manipulojë me zgjedhjet.

Polemikat mes dy subjekteve maqedonase, sipas nënkryetarit të KSHZ-së, Subhi Jakupi, janë lojra politike. Ai ka thënë se Komisioni në kontinuitet bën pastrimin e listës zgjedhore dhe gjithmonë është gati për zgjedhje korrekte.

“Ky regjistër zgjedhor është normal në çështje publike. Vetë qytetetarët mund të vërtetojnë këtë çështje. Mund të them se ne jemi të përgatitur për zgjedhjet e rregullta presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm, që të dalim me një regjistër zgjedhor që është i pastruar”, ka deklaruar Jakupi.

Kryeministri Gruevski muaj më parë kërkoi pëlqimin e opozitës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme si mundësi e vetme për të tejkaluar ngërçin politik që u shkaktua pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvend vitin e kaluar.

Por opozita refuzoi këtë kërkesë me arsyetimin se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje deri sa nuk pastrohet lista zgjedhore dhe nuk bëhet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve ndërkombëtare.

Që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Gruevski në vitin 2006, në Maqedoni janë zhvilluar dy herë zgjedhje të parakohshme. Duke marrë parasysh këtë praktikë, analistët në Shkup shprehen të bindur se Gruevski do të shfrytëzojë zgjedhjet presidenciale të marsit për të shpallur edhe parlamentaret, ku sipas sondazheve do të shënonte edhe një fitore të thellë kundrejt opozitës.

Top Channel