Mesdheu po kthehet në një varrezë

12/10/2013 00:00

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat ka deklaruar se ujërat evropiane pranë Afrikës po kthehen në një varrezë, pasi një varkë tjetër me refugjatë u mbyt mbrëmjen e së premtes.

Zoti Muscat tha se Malta ndihej e braktisur nga pjesa tjetër e Evropës dhe insistoi se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë veprime konkrete.

Malta dhe Italia nisën një operacion shpëtimi pasi varka u përmbys, duke lënë të vdekur mbi 50 persona. Ngjarja ndodhi 120 kilometra larg Lampeduzës, ishulli italian ku të paktën 300 emigrantë u mbytën javën e kaluar.

Humbja e jetëve ka ringjallur debatet në radhët e BE-së në lidhje me ligjet për emigracionin. Në ngjarjen e fundit, varka që mbante mbi 200 emigrantë besohet se kishte vështirësi teksa ndodhej në ujërat e Maltës, pak momente para perëndimit të diellit.

Emigrantët përdorën një telefon satelitor për të dhënë alarmin por varka u përmbys kur pasagjerët peshuan në njërën anë teksa u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen e një avioni që po kalonte.

Më herët gjatë javës, të paktën 500 emigrantë që udhëtonin në varka të veçanta u shpëtuan nga roja bregdetare italiane në afërsi të ishullit të Siçilisë.

Po të premten, një tjetër aksident detar u verifikua në portin e Aleksandrisë, në Egjipt, ku humbën jetën të paktën 12 klandestinë. Autoritetet egjiptiane deklaruan se 116 vetë, shumica e të cilëve palestinezë dhe sirianë, u nxorrën nga uji.

Zoti Muscat deklaroi se ndërhyrja e Maltës dhe Italisë shpëtoi jetë njerëzish, ndërsa u ankua se nga Bashkimi Evropian ka dëgjuar vetëm “fjalë boshe”.

“Në këto momente politikanët po mendojnë se si të forcojnë ligjet për emigracionin. Ndërsa shqetësimi ynë kryesor janë këta njerëz në det”, tha Muscat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB