Një tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 16:11 minuta (ora lokale) në veriperëndim të ishullit grek të Kretës.

Sipas Institutit Mesdhetar, fuqia e tij ka qenë 6,4 ballë e shkallës Rihter, ndërsa sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës ka qenë 6.2 ballë. Epiqendra e tij është regjistruar 64 kilometra në perëndim të qytetit Hania të ishullit, në një thellësi prej 23 kilometrash.

Lëkundjet e tij kanë qenë aq të fuqishme sa kanë shkaktuar panik tek banorët, pasi ka pasur dhe një kohëzgjatje të madhe rreth dhjetë sekonda, madje ato janë ndjerë edhe prej drejtuesve të makinave që në atë moment kanë qenë në lëvizje.

Për fat të mirë tërmeti ka ndodhur në zonën detare pranë ishullit, megjithatë ai është ndjerë pothuajse në gjysmën e Greqisë, sidomos në Athinë, Patra dhe ishujt Kikladhes.

Deri tani mediat greke flasin për dëme të vogla materiale në dyqane dhe shtëpi, kryesisht nga rënia e objekteve si dhe për disa rrëshqitje dheu. Pas këtij tërmeti janë regjistruar edhe tre lëkundje të tjera nga 2.8 deri në 3.1 ballë të shkallës Rihter në të njëjtën zonë.

Top Channel