Organizatorët e ndeshjeve sportive në Maqedoni, gjatë shitjes së biletave në të ardhmen do t’u kërkojnë tifozëve dokumentet e identifikimit.

Me ndryshimin e ligjit, për parandalimin e dhunës nëpër terrenet sportive, policia kërkon të ketë kontroll të plotë nëpër tribunat e stadiumeve, me qëllim për të identifikuar sa më lehtë pesonat, që do të ushtrojnë dhunë.

Çdo grup i tifozëve detyrohet të regjistrohet, ndërsa klubi sportiv të mbajë evidencë për tifozët e vet. Po ashtu, do të ketë edhe regjistër të personave të ndëshkuar, të cilëve nuk do t’u lejohet hyrja në terrenet sportive.

“Ligji do të duhet të krijojë mundësi, që shitja e biletave të bëhet me dokumente për indentifikim personal dhe mbajtjen e evidencës për shitjen e biletave. Në këtë mënyrë, saktësisht do të dihet – me emër, mbiemër, adresë, në cilën tribunë dhe ulëse, – cili shikues ka qenë prezent në tribunë, në momentin kur ka ndodhur incidenti. Po ashtu do të krijohet mundësia, që këto të dhëna t’i jepen edhe policisë për nevoja zyrtare, atëherë kur policia do t’i kërkojë ato”, tha Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Kryeshefja e policisë maqedonase, Gordana Jankullovska, tha se në Maqedoni, gjatë pesë viteve të kalura, është shtuar dhuna nëpër stadiume.

“Çdo vit regjistrojmë mesatarisht 17 incidente. Në këtë periudhë janë regjistruar incidente në 81 ndeshje, shumica e të cilave në Shkup dhe Tetovë. Për këto ndeshje janë angazhuar 6,500 pjesëtarë të forcave të rendit , ndërsa gjatë ndërhyrjes së tyre në 28 incidente janë lënduar 69 policë dhe janë dëmtuar dhjetra automjete”, shtoi më tej Gordana Jankullovska.

Me ndryshimin e ligjit, për parandalimin e dhunës nëpër terrenet sportive, parashikohen masa të rrepta edhe për personat, që dhunojnë flamurin shtetëror. Çdokush, që do të djegë një flamur të cilitdo shtet, do të dënohet me burg, ka sqaruar Jankullovska.

Top Channel