Partia Demokratike Shqiptare në opozitë vlerëson se subjekti i Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, që përfaqëson shqiptarët në qeverinë e Shkupit, ka concept qytetar dhe jo kombëtar.

Partia e Menduh Thaçit këtë e ka argumentuar me faktin që në grupin parlamentar të BDI-së ka edhe deputetë me përkatësi jo shqiptare dhe me diskriminimin që iu bëhet shqiptarëve nga pushteti ku bën pjesë edhe partia e Ahmetit.

“Unë jam shqiptar, përfaqësoj partinë shqiptare, pasi vlerësojmë, dhe ashtu është, se shqiptarët kanë mungesë të të drejtave elementare në këtë shtet dhe pikërisht për këtë ne ekzistojmë si parti politike, deri kur të realizohet barazia. Sigurisht, deri atëherë kemi shumë punë. Ne kemi koncept shqiptar, koncepti juaj është qytetar”, deklaroi Imer Aliu, koordinator i grupit parlamentar të PDSH-së.

Por, sipas BDI-së, këto akuza të opozitës nuk qëndrojnë. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Nexhat Jakupi tha se edhe përfaqësuesit e PDSH-së në disa raste kanë përkrahur kandidatë jo shqiptar.

“Ju votoni dhe vendosni për kryesues të këshillit të Strugës një këshilltar të një bashkësie tjetër. Në zgjedhjet e fundit lokale në komunën e Dollnenit nuk mbështetet kandidatin e BDI në raundin e dytë, por mbështetët një kandidat tjetër që është maqedonas”, replikoi Jakupi.

Polemikat mes përfaqësuesve të dy forcave politike shqiptare rreth koncepteve partiake janë zhvilluar gjatë debatit për rishikimin e buxhetit. Me këtë rast, opozita edhe një herë potencoi se pushteti diskriminon shqiptarët në ndarjen e fondeve.

Top Channel