Aktivistët e rrjetit të hackers-ave “Anonymus” njoftuan se kanë shtënë në dorë dokumenta të klasifikuara të Ministrisë së Jashtme greke.

Sipas njoftimit të bërë nëpërmjet faqes së tij të internetit, grupi ka vënë në dispozicion të publikut 3200 materiale të klasifikuara me shkallë të ndryshme sigurie. Sipas tij, këto dokumenta janë marrë nga drejtoria A3 (drejtoria e vendeve lindore dhe OSBE).

“Anonymus” pretendon se aty hidhet dritë mbi aktivitetet sekrete dhe prapaskenat e diplomacisë greke në vendet lindore. Dokumetat janë të hapura për këdo që viziton faqen e “Anonymus”.

Ndërkohë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Jashtme greke ka tentuar të minimizojë jehonën e grabitjes së dokumentave, duke thënë se materialet e vjedhura prej hackers-ave të “Anonymus” janë të një rëndësie të ulët.

Ministria e Jashtme thotë se kryesisht janë grabitur të dhënat e postës elektronike dhe jo dokumenta të koduara. Gjithësesi, autoritetet greke njoftuan se kanë hapur një hetim lidhur me këtë ngjarje.

Top Channel