Athina zyrtare është përplasur me përfaqësuesit e kreditorëve ndërkombëtarë mbi nevojën për të marrë apo jo masa të reja anti-krizë.

Bëhet fjalë për masa të propozuara për vitin 2014 dhe që mund të prekin sërish rrogat dhe pensionet e funksionarëve publikë.

Sipas trojkës, FMN, BE dhe BQE, duhen masa të reja për të rekuperuar dy miliardë euro për shkak të kalimit të tavanit të shpenzimeve publike.

Gjithashtu, kreditorët kërkojnë që të reduktohen pasojat e gropës që do të krijohet për aplikimin e taksës unike mbi pronat e tundshme.

E përjashtuar nga tregjet financiare prej vitit 2010, Greqia është mbajtur gjallë me dy paketat kolosale të ndihmës, prej gati 240 miliardë euro, nga BE, BQE dhe FMN.

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm synon një defiçit të përgjithshëm të qeverisë prej vetëm 2,4% të PBB-së, por borxhi publik mbetet në nivelet më të larta, duke shkuar në 174,5% të PBB.

Greqia shpreson në një reduktim të tij, për ta bërë atë të qëndrueshëm, por deri tani asnjë prej kreditorëve, aq më tepër Gjermania, nuk pranojnë as ta përmendin këtë zgjidhje financiare.

Më herët gjatë muajit, zv/ministri i Financave, Christos Staikuras bëri një deklaratë optimiste kur tha se në fund të 2013-s arrihet një sufiçit primar, edhe pse i vogël prej 340 milionë euro, fakt që do të thotë se nuk do krijohet më borxh të ri.

Top Channel