Fatos Baxhaku – Këtu e ndoca vjet më parë, shumëkush u pataks, të tjerë u
entuziazmuan, të tjerë akoma vranë mendjen për të ardhmen.

U shkruan shumë shkrime dhe u hodhën plot germa ndër kompjuter. Ishte koha e ndarjes së “madhe” Nano-Meta. Në Berat, ku zhvillohej një aktivitet i PS-së, një anëtare e vjetër e PPSH-së, e transformuar në PS, lëshoi klithmën e saj gjëmëmadhe: Por amani more shokë, morepo amani udhëheqës, por çfarë jemi ne pa ju (harroi të thoshte të kundërtën, sepse, as që nuk e mendonte), por amani more po pajtohuni, more! Shtrëngoini dorën njëri-tjetrit, vetëm t’ju shohim kështu, pa nuk duam as ujë e as drita!

Kjo shprehje e militantizmit fanatik politik, për fat të mirë sot duket se ka kaluar. Ka shumë të ngjarë që militantja beratase të jetë në radhë të parë të protestave për ujë e për drita dhe as që e vret më mendjen as për Metën e as për Nanon, porse kohët atëherë ishin ashtu. Asaj, që nga koha e Stalinit, i kishin mësuar se pa një lider në jetën e saj nuk bëhet asgjë, pale pastaj pa unitetin e popullit rreth partisë! Me gjithë të qeshurat, gallatat, komentet, analizat, sugjerimet, ne të shtypit, të gjithë bashkë, kishim harruar një term që doli si pa dashur në fjalimin patetik të militantes. Kjo është fjala “dorë”.

“Jepini dorën njëri–tjetrit!”, kishte klithur militantja e aftë që të jetonte edhe pa ujë e pa drita. Të gjithë ne sot mund të qeshim, të përqeshim, të bëjmë modernin, analistin e kështu me radhë, porse ajo militante, e harruar tashmë, na kujtoi një organ njerëzor shumë të qenësishëm: dorën. Këtë meritë nuk kemi asesi si t’ia mohojmë.

Dora është një ndër organet më të vlefshme për njeriun, edhe ndër kohë moderne. Edhe sot e kësaj dite, ne opinioni publik nuk presim as më shumë e as më pak se sa një shtrëngim të dy duarve të djathta, njëra nga të cilat është e Kryeministrit dhe tjetra e Lulzim Bashës, kreut të opozitës. Atëherë kjo dora çfarë dreqin ka që bëhet hera-herës e rëndësishme?

Antropologët (me përjashtim të atyre antidarvinistë) thonë se dora ishte organi i parë që na shkëputi ne nga bota e majmunëve. Ishte dora ajo që u kap fort mbi degët e pemëve, duke na bërë që të rezistojmë në botën e ashpër të seleksionimit natyror. Pastaj, më pas, dora e mbushur me ujë, ishte ena jonë e parë. Dora ishte edhe mjet i egërsisë së trashëguar nga bota jonë e pyjeve, e luftës për ekzistencë. Ajo ishte ekzekutuesja e gjuetarit që vriste mamuthin, ajo ishte dora e harkëtarit të antikitetit që vriste armikun, ajo është dora që shtyp sot butonin mbi terroristët e panjohur. Dora, pra është zbatuesja e mendjes njerëzore, në të mirë, a në të keq. Nuk ka nevojë për komente nëse pohojmë se dora njerëzore ka qenë shumë herë më e mbarë kur hiqte dorë nga natyra e saj agresive. Jo më kot, poçari, ai që nga hiçgjëja me duart e tij krijon një objekt të vlefshëm, është një nga simbolet më të vlefshëm biblikë.

Tani le të vazhdojmë me dorën e zgjatur dhe funksionet e saj. Në disa gjuhë të rëndësishme (si në gjermanisht Hand = dorë, Handel = tregti) shkëmbimi i parë ekonomik njerëzor, tregtia, identifikohet me dorën. Ai që kishte diçka për të dhënë mbante në dorën gjënë që donte të këmbente, ai tjetri, që ishte përballë, mbante në dorën e tij gjënë që kishte për të shkëmbyer. Nuk kishte lindur akoma paraja, porse kishte lindur besimi dhe ideja e interesit të ndërsjellë. Kjo na çon në një tjetër traditë mesjetare që lidhet me besimin. Ne sot u shtrëngojmë dorën me dhjetëra, disa prej nesh edhe qindra njerëzve në ditë, duke kryer një ritual që secili e quan të zakontë. Porse nuk ka qenë kështu në Mesjetën e Hershme, asokohe kur lindi kjo traditë, njerëzit i zgjasnin dorën njëri-tjetrit duke u ruajtur nga njëri-tjetri. Të shtrënguarit e dorës ishte shenja që askush prej të dyve që takoheshin nuk kishin fshehur ndonjë armë për të sulmuar tjetrin. Nga kjo ka ardhur më pas edhe zakoni i heqjes së dorezës kur takon tjetrin. Me pak fjalë, shtrëngimi i dorës është një akt besimi, një akt ku tjetri dëfton që nuk ta ka me të futur dhe as me hile, por që është përballë dhe sepse ka besim se me ty ka diçka të rëndësishme, apo të këndshme, të hareshme, gjithsesi diçka që ia vlen të diskutohet.

Tani një shtrëngim i thjeshtë duarsh është bërë legjendë në kronikat tona politike. Berisha dhe Rama, Nano dhe Rama, Meta dhe Rama, të gjitha këto nuk kanë qenë gjë tjetër veçse shtrëngime duarsh me sy të vagëlluar në cep të horizontit. Dihej sheshit se ata nuk e duronin njëri-tjetrin. Por, nga ana tjetër, sa herë që një shtrëngim i thjeshtë duarsh ka ndodhur mes dy palëve, aq më mirë i ka bërë qetësisë së vendit, aq më të qetë kanë shkuar njerëzit në punë me idenë se “të mëdhenjtë nuk kanë ndërmend të na bëjnë ndonjë zallamahi të radhës”. Tani, me ndërhyrjen e LSI-së, po kërkohet gjithnjë e më shumë, madje thuhet deri këtë të enjte, që dy të mëdhenjtë tanë të sotëm, ndonëse të rinj në moshë, të mos bëjnë gjë tjetër veçse t’i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit, siç e pamë zakon i vjetër që nga koha e Neandertalit, dhe t’i paqtojnë njerëzit e të dy krahëve duke u treguar se demokracia ka edhe diskutime, zënka, ide të ndryshme, ëndrra të parealizuara, porse që gjithsesi ata që shtrëngojnë dorën, nuk kanë asnjë armë të fshehur nën mëngë. Nuk duhet të jetë kaq e vështirë, përderisa paraardhësit tanë e kanë bërë këtu e mbi 30 mijë vjet më parë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë don të thotë që një nga krahët e dikujt nuk funksionon dhe kjo do të thotë, nga ana tjetër, që ne si shoqëri, që pretendojmë të hidhemi në BE, e kemi një krah mangët. Na imagjinoni pak si shoqëri, njësoj si një njeri i trazuar të cilit i mungon një krah. Punë dreqi!

Gazeta “Shqip”

Top Channel