Presidenti kroat Ivo Josipoviç është takuar për herë të parë zyrtarisht me homologun serb Tomisllav Nikoliç, pas polemikave dhe ftohjes së raporteve mes dy vendeve, pas deklaratave të Beogradit në lidhje me luftërat dhe masakrat e viteve ’90 në ish-Jugosllavi.

Në muajt e kaluar Josipoviç dhe Nikoliç kishin rastisur në evenimentet ndërkombëtare dhe vetëm sa ishin parë me njëri-tjetrin. Gjithashtu, Nikoliç ishte në Zagreb në fund të qershorit për festimet solemne për hyrjen e Kroacisë në BE më 1 korrikun e kaluar. Por takimi i së mërkurës në Beograd është i pari mes dy liderëve pas zgjedhjes së Nikoliç president, në maj të vitit 2012.

Por raportet mes Beogradit dhe Zagrebit gradualisht u përkeqësuan, për shkak të deklaratave kontroverse të Nikoliç, që vuri në dyshim genocidin e forcave serbe në Srebrenicë, nën drejtimin e Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, dhe për faktin se cilësoi një qytet serb Vukovarin, në lindje të Kroacisë, i konsideruar si qyteti-martir i lufttës kroate për pavarësi, në vitet 1991-95.

Axhenda e bisedimeve në Beograd është e mbushur me tema që peshojnë dhe kushtëzojnë negativisht raportet mes dy vendeve, që nga kontestet kufitare e deri tek ato pronësore, nga problemet e refugjatëve dhe personave të zhdukur gjatë konfliktit tek denoncimet për genocid të bëra nga njëri vend ndaj tjetrit.

Gjithësesi, së fundmi janë shtuar sinjalet e sheshimit të mosmarrëveshjeve dhe gatishmëria për t’u përballur për zgjidhjen e këtyre problemeve. Josipoviç gjatë qëndrimit në Serbi do të takohet edhe me kryeministrin Daçiç, ndërsa të enjten do të vizitojë bashkë me Nikoliç minoritetin kroat në veri të Serbisë.

Top Channel