Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë zhvarrosur deri të mërkurën 111 skelete të plota dhe mbetje trupore të 61 personave nga varri masiv në minierën e hekurit në Tomasika, në Bosnje.

Varri në fjalë ndodhet pranë lokalitetit Prijedor, në perëndim të vendit, dhe përmban mbetjet e qindra myslimanëve dhe kroatëve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në muajt e parë të luftës në Bosnje, në vitet 1992-95.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e institutit boshnjak për të humburit, Lejla Çenxhiç për mediat lokale. “Përkrah mbetjeve trupore janë gjetur edhe dokumenta me të dhëna personale të lexueshme dhe për rrjedhojë mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për civilë myslimanë dhe kroatë boshnjakë të fshatrave pranë Pridejorit”, ka deklaruar Çenxhiç.

Zbulimi i skeleteve të pjesshme tregon se trupat e viktimave janë transferuar, në përpjekje për të dëmtuar provat për krime lufte në një tjetër varr në lokalitetin Jakarina Kosa, prej nga në vitin 2001 u zhvarrosën 373 viktima.

Duke qenë se bëhet fjalë për një zonë më të gjerë se 3 mijë metra katrorë, zhvarrosjet në Tomasika janë kryer edhe në vitet 2004 e 2006, kur u gjetën gjithësej 34 trupa, të gjithë në një thellësi mbi 10 metra.

“Mendojmë se në këtë varr mund të gjejmë ende trupat e qindra viktimave të tjera të Prijedorit”, ka shtuar Çenxhiç. Deri më tani janë gjetur dhe identifikuar 2082 viktima nga Prijedori, por rezultojnë ende të humbur 1274 civilë të tjerë joserbë të zonës.

Për krimet e kryer në këtë lokalitet dhe tre kampe përqendrimi në zonë, Omarska, Keraterm dhe Trnopolje, gjykata e Hagës ka dënuar gjashtë ish-funksionarë serbë, mes të cilëve Milomir Stakiç dhe Radosllav Brdjanin, me 40 dhe 32 vite burgim. Ndërsa gjykata e Sarajevës ka dhënë dënime të gjata burgimi për gjashtë ish-ushtarakë serbë.

Top Channel