Komisioni Evropian për të pestin vit radhazi ka përsëritur rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë.

Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, gjatë shpalosjes së raportit të progresit porositi Shkupin që të krijojë kushtet që vendet anëtare ta shqyrtojnë seriozisht rekomandimin për nisjen e negociatave.

Fyle po ashtu ftoi zyrtarët maqedonas të llogarisin çmimin e kompromisit për çështjen e emrit, por edhe çmimin e ngecjes në procesin eurointegrues. Ai tha se moszgjidhja e problemit bilateral me Greqinë bart me vete pasoja dhe ka kosto për vendin dhe qytetarët.

Menjëherë pas publikimit të raportit të progresit, edhe ambasdori i BE-së në Shkup, Aivo Orav e vuri thekstin tek zgjidhja e shpejtë e çështjes së emrit dhe marrëdhëniet konstruktive me fqinjët.

“Edhe për të pestën herë me radhë u rekomandua që të nisni negociatat dhe Komisioni Evropian përsëriti qëndrimin e tij se fillimi i tyre do të krijojë kushte të përshtatshme për të përmirësuar marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe me këtë rast edhe të zgjidhë çështjen e emrit. Rekomandimi është i qartë dhe ky është një lajm i mirë për vendin”, deklaroi Orav.

Në raportin e progresit, Komisioni Evropian edhe këtë vit theksoi nevojën e pavarësisë së gjyqësorit, reformat zgjedhore, luftën kundër krimit, si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Sa i përket lirisë se medias, qeverisë së Shkupit i është kërkuar që të ritkhejë dialogun me Shoqatën e Gazetarëve.

Top Channel