Komisioni Europian, veç rekomandimit për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë, ka bërë një përmbledhje edhe të ecurisë së vendeve të rajonit, përfshi Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, pa harruar edhe Turqinë, ndërkohë që Islanda “ka ngrirë”.

MSA, bisedimet nisin më 28 tetor
Në 2014-n, Kosova pret lajmin për vizat, vërejtje për krimin dhe korrupsionin

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit ndihmoi në vlerësimin pozitiv të Komisionit për dy vendet.

Pas disa reformave, kryesisht në miratimin e ligjeve, për Kosovën rekomandohet nisja e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por më shumë punë kërkohet në fusha si shteti i së drejtës, gjyqësori, administrata publike, reforma zgjedhore e ajo parlamentare, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, apo në çështjet tregtare.

“Më 28 tetor, ne nisim bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Jam i lumtur që shoh, jo vetëm Kosovën, tashmë në rrymën kryesore të zgjerimit dhe ku me vështirësi përforcon pozitën e saj, nëpërmjet një qasjeje shumë konstruktive në dialogun me Beogradin”, tha Stefan Fule, Komisioneri europian për Zgjerimin.

Për Serbinë u rekomandua nisja e bisedimeve për anëtarësim në janar të vitit 2014. Njësoj si me vendet e tjera të rajonit, sfidat e Serbisë mbeten shteti i së drejtës, në veçanti reforma në gjyqësor, anti-korrupsioni, pavarësia e institucioneve, apo mbrojtja e minoriteteve.

Statusi rekomandohet për herë të 5-të
Moszgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë mban peng Maqedoninë

Për Maqedoninë, Komisioni rekomandoi për të pestin vit radhazi nisjen e bisedimeve për anëtarësim, duke përsëritur thirrjen për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme me Greqinë për çështjen e emrit.

“Mendoj se, pikë së pari, i takon Shkupit që të bëjë vlerësimin, jo vetëm të çmimit të kompromisit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Por, mendoj se i takon Shkupit, të bëjë gjithashtu vlerësimin e çmimit të mospërparimit dhe të mosgjetjes së një kompromisi”, tha Stefan Fule.

Gjatë paraqitjes të raporteve të progresit të këtij viti, Komisioneri përzgjodhi nga një “thënie” për ecurinë e secilit vend. Për Turqinë ishte ngecja në bisedimet për anëtarësim, për Bosnjen “kaq shumë potencial, kaq shumë shpërdorim”.

“Në fakt, jam menduar a të vë fjalë kaq të rënda. Por, nuk gjeta ndonjë gjë më të mirë”, tha Stefan Fule.

Nga tetë kandidatët dhe aspirantët për në BE, Islanda është i vetmi vend, që ka vënë në ngrirje procesin e bisedimeve, duke rishikuar qëndrimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel