Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, Boris Kondarko ka dhënë dorëheqjen nga ky post për arsye personale.

Vetë Kondarko nuk ka dhënë më tepër detaje për dorëheqjen, ndërsa nga partia e tij në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, njoftuan se së shpejti do të dalin me emrin e kandidatit të ri për këtë post, me qëllim që të mos bllokohet puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Jemi në konsultime për situatën e fundit. Ne duam që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të funksionojë në mënyrë efektive, para së gjithash në përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare, siç është pastrimi i listës zgjedhore dhe vëretjet e tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”, deklaroi Oliver Spasovski.

“Nuk duam në asnjë moment që të bllokohet puna e KSHZ-së, prandaj presim që në seancën e parë të Parlamentit të konstatohet dorëheqja dhe të nisin proçedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të KSHZ-së”, vijoi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.

Dorëheqja e Kondarkos u paralajmërua ditë më parë nga vetë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili akuzoi partinë në pushtet VMRO-DPMNE se po bllokon punën e KSHZ-së duke mbivotuar drejtuesin e institucionit.

Paralajmërimin për dorëhejem e komentoi një ditë më parë edhe kryeministri Nikolla Gruevski. Ai tha se opozita po përdor të gjitha mjetet për të shmangur shpalljen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të frikës nga humbja e thellë.

Top Channel