Lufta ndaj korrupsionit në gjyqësor

19/10/2013 00:00

Ekziston një formulë për ta luftuar korrupsionin në gjyqësor dhe kjo,
sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, ka lidhje të
drejtpërdrejtë me dy elementë, mënyrën si emërohen gjyqtarët dhe se si
ndëshkohen ata.

“Nëqoftëse ne na funksionojnë mirë, qoftë sistemi i emërimeve dhe i promovimeve, mos të nisemi nga interesa klienteliste, por të zhvillohet një politike karriere, nëqoftëse nga ana tjetër dhe sistemi i disiplinimit dhe i ndëshkimit do të jetë i tillë që ta vëmë gishtin në plagë, patjetër që sistemi do të shëndoshet”, thotë Kondi.

Per ish-kreun e Gjykatës së Lartë, e po ashtu edhe ish-ministër Drejtësie, në pikën ku ndodhet drejtësia ka nevojë urgjente për reflektim, e mandej të flitet për reformë.

“Ne nuk duhet të nisemi nga spontaniteti. Natyrisht që në vitet e para, mbas ndryshimit të sistemit duheshin bërë shumë ndryshime të mëdha dhe në një kohë të shkurtër. Patjetër që kishte edhe ngutje. Tani është momenti që të reflektojmë thellë dhe të mendojmë çfarë e kemi bërë mirë, cfarë e kemi bërë jo mirë? Çfarë ka funksionuar, çfarë jo? Nëse nuk ka funksionuar dicka, përse nuk ka funksionuar? Eshtë sistemi që kemi adoptuar, apo nuk kanë punuar mirë njerëzit? Në fund të fundit mund të miratojmë ligje shumë të mira, t’i kopjojmë nga perëndimoret, të ndërtojmë sistemin, por mund të mos na funksionojë… Pse nuk na funksion? Sepse ne duam të mbjellim banane në Shqipëri, por këtu ajo nuk rritet. Pra, nuk është një kopjim mekanik i modeleve të vendeve perëndore, por është zgjedhja e atyre modeleve, të cilat mund të funksionojnë më mirë, të jenë më efektive në kushtet e vendit tonë”, thotë Kondi.

Per te kuptuar se cili nga modelet ne jurisprudence ka funksionuar dhe cili ka dështuar ish-kryetari i Gjykates se Larte sugjeron qe te kete nje debat publik dhe studim.

“Duhet debat publik, duhet që të funksionojnë strukturat e caktuara shtetërore dhe strukturat e tjera shoqërore, në mënyrë që të studiohet situata, të nxirren konkluzionet, të ndërtohen strategji dhe mbi bazën e tyre të punojmë. Të mos flasë secili pas mendjes së tij”, theksoi Kondi.

Top Channel