Teuta ndal Skëndërbeun me 10 lojtarë

19/10/2013 00:00

Ballafaqimi i dy skuadrave kryesuese të Superligës, ka dhuruar emocione në stadiumin e Skëndërbeut ku gjithcka u mbyll 1-1.

Vetëm pas 10 minutash lojë “Djemtë e Detit” mbetën me 10 lojtarë, pasi Da Silva merr karton të kuq pasi shkakton një ndërhyrje të parregullt ndaj Pejicit duke i hequr mundësinë për të shënuar.

Megjithatë në mbyllje të pjesës së parë, Daniel Xhafa shënon një supergol, me një goditje mjeshtërore me kokë, duke cuar topin aty ku nuk mund të arrinte dot Shehi.

Me fillimin e pjesës së dytë korcarët edhe në superioritet numerik, kërkojnë me ngulm golin e barazimit dhe e gjejnë me Morinën, lojtarin e aktivizuar në 45 minutat e dyta.

Minutat e tjera dhuruan emocionet e një Teute që mbrohej mjaft mirë dhe një Skëndërbeu të pafuqishëm për të gjetur rrugën e fitores. Me këtë barazim pavarësisht se të dyja skuadrat marrin nga një pikë durrsakët duken më të fituar, pasi me 10 lojtarë kaluan një kundërshtar shumë të fortë në luftën për titullin.

Ndërkohë në Lushnje Partizani ka humbur përballë “Lagunarëve” me rezultatin e pastër 2-0. Trashi në minutën e 48-të dhe Koreshi në të 58-tën i kanë shkaktuar skuadrës së kuqe humbjen e dytë në këto tetë javë Superligë.

Lushnja me këtë fitore ngjitet në kuotën e 11 pikëve ndërsa Partizani mbetet me 14 pikë në vendin e tretë.

Top Channel