Drejtuesve të Ministrisë së Arsimit në Maqedoni dhe Shqipëri nuk ju kanë mjaftuar tre vite për të rinovuar Marrëveshjen bilaterale për bashkëpunim në sferën e arsimit.

Që nga dhjetori i vitit 2010, kur ka skaduar afati i kësaj marrëveshje, dy vendet nuk kanë mundur të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë zyrtare. Mungesa e kësaj marrëveshje është një arsye shtesë që abetarja mbarëkombëtare të mos mund të sillet në Maqedoni, pasi në mungesë të bashkëpunimit zyrtarë, dy vendet nuk mund të këmbejnë tekste shkollore.

Shkupi dhe Tirana për tre vite me radhë nuk kanë mundur të bashkëpunojnë as në programet e përbashkëta arsimore, kurse studiuesit nga dy vendet nuk kanë pasur mundësi të bëjnë bashkërisht hulumtime shkencore.

Po ashtu, në mungesë të kësaj marrëveshje studentët shqiptarë nga Maqedonia nuk mund të shfrytëzojnë kuoatat që ishin të garantuara për ta nëpër universitetet e Tiranës, para skadimit të marrëveshjes.

Zyrtarët shqiptarë në Ministrinë e Arsimit në Maqedoni thonë se janë shumë të interesuar për të rinovuar Marrëveshjen në sferën e arsimit me Shqipërinë. Nga Shkupi, kohë më parë,  në mënyrë zyrtare është dërguar një kërkesë për ripërtëritjen e bashkëpunimit, por ende pritet përgjigja nga Ministria e Arsimit në Tiranë.

Top Channel