De Biasi, me Shqipërinë deri në 2015-n

20/10/2013 17:30

Pasditen e së dielës, FSHF ka zyrtarizuar akordin për rinovimin e kontratës me trajnerin italian, Gianni de Biasi, i cili do të qëndrojë në krye të pankinës kuqezi edhe për 2 vjet të tjerë, deri në 2015-n.

De Biasi do të udhëheqë kështu Shqipërinë edhe gjatë eliminatoreve për kampionatin europian, Euro 2016, që do zhvillohet në Francë, dhe në rast kualifikimi për në Europian, kontrata do t’i shtyhet edhe me 1 vit.

Tekniku italian nuk do te vijë në Tiranë, siç konfirmohet nga mediat italiane, por ditën e mërkurë do të takohet me përfaqësues të FSHF-së në Milano, për të hedhur firmën mbi kontratën e re. Lajmi është konfirmuar edhe nga numri 1 i futbollit shqiptar, Armando Duka, i cili nuk ka dhënë detaje mbi kushtet e kontratës.

De Biasi e ka drejtuar Shqipërinë në 17 ndeshje deri më tani, nga të cilat 10 janë ato të eliminatoreve të botërorit “Brazil 2014”.

Bilanci i këtyre ndeshjeve flet për 7 fitore e 7 humbje, si dhe 3 barazime. Kujtojmë se në eliminatoret e sapopërfunduara, pra në ndeshje zyrtare, Shqipëria arriti 4 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje.Pavarësisht se Shqipëria e mbylli sërish në vendin e 5-të të renditjes me 11 pikë, italiani afroi shumë emra të rinj në skuadër, të cilët mund t’i shërbejnë kombëtares për disa edicione kualifikuesesh radhazi.

Top Channel