Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç do të bisedojë pasditen e së hënës në Luksemburg me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Daçiç ka thënë se është e rëndësishme që të mënjanohen të gjitha manipulimet me listat zgjedhore dhe me rezultatet.

“Kemi këmbëngulur që serbët të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet zgjedhore dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të kenë qasje në listat zgjedhore. Kjo do të jetë temë e analizave dhe debateve”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.

Në Luksemburg mbahet sot takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, që i paraprin samitit për partneritet me lindjen.

Fundjavën e kaluar kryeministri serb zhvilloi një vizitë në Graçanicë, prej nga ftoi serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe të punojnë për institucionet e Serbisë, duke shkelur kështu rregullat e Prishtinës zyrtare që të mos bënte deklarata politike gjatë vizitës.

“Kësaj radhe duhet të dalim të gjithë në zgjedhjet lokale që të zgjedhim pushtetin serb. Serbia nuk ju fton ju që të dilni në zgjedhjet lokale për Prishtinën, por për ju dhe për ne, që të keni pushtet i cili do t’i legjitimojë dhe artikulojë interesat tona serbe në Kosovë e Metohi.

Nuk guxojmë të lejojmë dhe kjo është e turpshme që ka ndodhur në disa komuna tona, që të hedhim bomba ndaj njëri-tjetrit. Autoritetet e Prishtinës më kanë ndaluar herën e kaluar vizitën për në Shtërpçë.

Pse?! Sepse kërkojnë që ne të mos ndikojmë se kush duhet votuar. Unë them se nuk është nevoja që ne të ndikojmë. Duhet votuar për ata që kanë qëndrim të njejtë me Beogradin dhe Serbinë”, tha Daçiç.

Top Channel