Gazetari maqedonas i së përditshmes “Nova Makedonija”, Tomisllav Kezharovski u dënua me 4 vite e gjysmë burg në procesin gjyqësor “Likuidimi”.

Kezharovski u akuzua se në mënyrë të paligjshme ka zbuluar identitetin e dëshmitarit të mbrotjur në rastin “Oreshe”, i cili më pas kishte rezultuar i rremë.

Avokati mbrojtës i gazetarit maqedonas tha se Kezharovski është i bindur se procesi kundër tij ka nisur për shkak të hulumtimit që ka bërë ai muaj më parë mbi aksidentin tragjik, ku humbi jetën gazetari kritik ndaj qeverisë, Nikolla Mlladenov.

”Arsyeja e vetme për të cilën dyshon edhe ai se është ngritur ky skenar kundër tij është hulumtimi në gazetari. Kezharovski është i bindur se e gjithë kjo vjen për shkak të hetimit të dëshmive rreth vdekjes së gazetarit Nikolla Mlladenov”, ka deklaruar avokati Andrea Rogunovski.

Vendimin e Gjykatës themelore në Shkup, për të dënuar me 4 vite e gjysëm burg gazetarin Tomosllav Kezharovski, opozita maqedonase e ka quajtur skandaloz dhe të ndikuar nga politika.

“Ky aktvendim ka pasoja të rënda mbi lirinë e shprehjes dhe përcjell sinjale të qarta për çensurën drejtuar gazetarëve të tjerë. Për këtë vendimi të diskutueshëm flet edhe reagimi i pëfaqësueses së OSBE-së për mediat, Dunja Mijatoviç, e cila tha se është e tmerruar nga aktvendimi i sotëm i gjykatës së Maqedonisë”, ka thënë Vesna Bendevska, deputete e LSDM-së.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni, duke vlerësuar se, sot nuk është dënuar Kezharovski, por gjithë gazetarët në Maqedoni.

Top Channel