Beqir Abazi, është mjek nga Presheva. Punon edhe në spitalin e Gjilanit, por edhe në shtëpinë e shëndetit në qytetin e tij.

Gati çdo ditë kalon kufirin Kosovë-Serbi. Qeveria e Kosovës ka vendosur të heqe taksën e siguracionit për zonën e Luginës së Preshevës pasi shqiptarët, kur ishte vendosur ky rregull në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes ishin izoluar dhe udhëtonin më pak.

Mjeku preshevar thotë se që nga ajo kohë ka paguar të paktën tre mijë euro. Por, shqiptarët, sipas tij, ende nuk janë bashkë.

Në kufi numri i makinave dukej më i madh se zakonisht, por ende duheshin disa dokumente për t’u përfunduar. Vendimi që erdhi pas takimit të liderëve të Preshevës me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, është pritur mirë, ndonëse qytetarët nuk besojnë që ky rregull do të zgjasë shumë.

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se vendimi do të lehtësojë jetën e qytetarëve.

Kosova ka marrë rreth 13 milionë euro gjatë periudhës së vendosjes së taksës. Njerëzit si mjeku Abazi e kanë të domosdoshëm udhëtimin dhe shpresojnë se rruga nga Presheva në Gjilan dhe vendet tjera do të jetë si udhëtim I zakonshëm në mes të dy qyteteve.

Top Channel