Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është përfshirë në një konflikt të paprecedentë, konflikt që doli në sipërfaqe nga publikimi i dy njoftimeve kundërshtuese me njëra-tjetrën, ku nga njëra anë vartësit akuzojnë shefen e tyre, ndërkohë që ILDKP akuzon vartësit.
Pas kallëzimit të depozituar në prokurori një ditë më parë ndaj Inspektores së Përgjithshme Zana xhuka, kallëzim i firmosur nga 34 punonjës nga 42 që ka organigrama, dera e këtij institucioni ka qëndruar mbyllur deri në oren 16:00 të së martës.
Përgjatë këtyre orëve, megjithë këmbënguljen për të mësuar se cfarë po ndodhte brenda institucionit, cilat janë emrat e vartësve që akuzojnë shefen e tyre, nga të dyja kampet pati vetëm reagime me e-mail.
Reagimi i parë i dërguar mediave nëpërmjet postës elektronike dërgohet nga dërguesi ILDKP në orën 11:46 minuta. Në të thuhet:
“Sot më datë 22.10.2013 , ora 09:00 Inspektorja e Përgjithshme e ILDKP, Znj Zana Xhuka thirri në takim gjithë stafin e ILDKP-së për t’ju kërkuar, nën kërcënimin e largimit nga puna, nënshkrimin e kërkesës për heqje dorë nga kallëzimi i bërë ndaj saj nga 34 punonjës në organin e prokurorisë. E ndodhur përpara refuzimit të prerë të gjithë kolektivit, Inspektorja e Përgjithshme, Zonja Zana Xhuka ka filluar manipulimin e deklaratave të interesave private dhe dosjeve objekt hetimi administrativ. Në institucion kanë hyrë persona të jashtëm që kanë filluar ndërhyrjet dhe manipulimin e të dhënave në serverin qëndror të të dhënave, gjithashtu po sot në zyrën e protokollit është emëruar shefja e re e zyrës e cila ka filluar ndërhyrjet për manipulimin e të dhënave në sektorin e protokoll-arkivës. Në këto kushte: Kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të organit të Prokurorisë dhe Kuvendit të Shqipërisë me qëllim marrjen në ruajtje dhe sigurimin e zyrave, dokumentacionit zyrtar dhe serverit qëndror të të dhënave. Kërkojmë gjithashtu pezullimin nga detyra të Inspektores së Përgjithshme Zonjës Zana Xhuka deri në përfundim të hetimeve”.
Menjëherë pas këtij njoftimi, ILDKP dërgon një njoftim të dytë në orën 12:44 minuta, njoftim i nisur për mediat nga dërgues Xhenis Trebeshina që përfaqëson zyrën e shtypit të këtij institucioni. Reagimi në emër të Inspektores së Përgjithshme thotë:
“Konsideroj çdo akt, fjalë dhe veprim, që tashmë me keqardhjen më të thellë rezultojnë të përsëritura, si një qëndrim të politizuar të papreçedent politik, të organizuar nga individë brenda dhe jashtë një Insitutucioni të Pavarur, me synimin e vetëm frenimin e Inspektorit të Përgjithshëm, Znj. Zana Xhuka, në përmbushjen e detyrës së saj tërësisht ligjore dhe krejtësisht të pavaruar. Inspektori i Përgjithshëm i konsideron të gjitha insinuatat dhe shprehjet anonime të deritashme si shpifje dhe fyerje për shkak të detyrës, të cilat dënohen rëndë penalisht. Gjithashtu, njoftoj përmes mediave se Inspektori, Shkëlqim Ganaj pezullohet nga detyra për dhunë fizike dhe verbale ndaj një titullari të lartë të shtetit shqiptar në detyrë dhe do të kallëzohet penalisht. Për ketë arsye i kam kërkuar Policisë së Qarkut Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbrojtje të veçantë të personit tim dhe familjen time”.
Në përfundim të orarit zyrtar dera e ILDKP-së u hap në orën 16.00. Shumica nuk pranojnë të komentojnë ç’po ndodh.
“Po unë jam njëri nga ata që e kam firmosur kallëzimin. Sot bëmë mbledhje në ILDKP që në orën 9 të mëngjesit, kryeinspektorja na kërcënoi na tha hiqni kallëzimin. Dua t’u them të gjithëve atyre që kanë në dorë e mund të hetojnë të vijnë urgjentisht”, thotë një inspektor që pranoi të flasë para kamerave.
Por për Inspektoren e Përgjithshme, Zana Xhuka kjo situatë është shpjeguar në njoftimin për shtyp:
“Gjithcka duhet të thotë Inspektoriati e kemi nisur me njoftim për mediat”, deklaroi kryeinspektorja, Zana Xhuka.
Prokuroria e Përgjithshme pranon se 34 punonjës kanë kallëzuar shefen e tyre dhe se ky denoncim pritet t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Tiranes, por ky version jepet jo zyrtarisht, në një kohë që zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm deklaron se s’ka asnjë koment për cështjen.
Në kallëzimin e një dite më parë Inspektorët i kërkojnë Prokurorisë të hetojë kryeinspektoren Zana Xhuka pasi sipas tyre, drejtuesja e institucionit ka shpërdoruar detyrën.
PD: Rama-Meta të ndalin sulmin
Lidhur me situatën e krijuar në ILDKP ka reaguar edhe Partia Demokratike. Deputeti i opozitës, Oerd Bylykbashi në një konferencë për shtyp tha se mazhoranca ka nisur një sulm ndaj një institucioni të pavarur dhe bëri thirrje për ndaljen e këtij sulmi.
“Mazhoranca ka ndërmarrë një sulm kundër institucioni të ILDKP-së, institucion kyç në luftën kundër korrupsionit. Qëllimi i vetëm i Ramës dhe Metës është shkrirja e ILDKP-së. Ne bëjmë thirrje që të ndalet sulmi Rama-Meta ndaj këtij institucioni dhe ndaj institucioneve të tjera të këtij vendi”, deklaroi zoti Bylykbashi.
Top Channel