Forca të shumta policore kanë penguar mbajtjen një proteste të qetë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, me të cilin gazetari maqedonas Tomisllav Kezharovski të hënën u dënuar me 4 vite e gjysmë burg.

Dhjetqra gazetarë u penguan nga pjesëtarët e njësive speciale që t’i afroheshin muzeut të VMRO-së në sheshin e Shkupit, ku ishte caktuar të mbahej protesta.

“Sot qindra gazetarë dhe qytetarë u tubuan për të protestuar kundër dënimit drakonik për gazetarin Tomisllav Kezharovski, ku gjykata pa fakte e dënoi me 4 vite e gjysmë burg. Ideja ishte të protestonim të qetë, por policia nuk na e lejoi një gjë të tillë”, deklaroi Zoran Dimitrovski, organizator i protestës.

Protestuesit, që disa herë pa sukses tentuan të çajnë barrikadën e policisë për të zhvilluar protestën në vendin ku ishte paralajmëruar, u shprehën të tmerruar nga sjellja e forcave të rendit.

“Policia sot edhe një herë demonstroi dhunë dhe frikë, jo vetëm për gazetarët por edhe për popullatën dhe dëshmoi se ne jetojmë në një shtet policor. Nëse do të kishim gjykatës të edukuar, gjysma e këtyre që sot janë në pushtet do të ishin në burg e jo gazetarët”, deklaroi Muhamed Zeqiri.

“Sot jemi dëshmitarë se pushteti në Maqedoni nxorri njësi speciale për të mbrojtur shtetin nga liria e shprehjes. Ne protestojmë kundër vendimit skandaloz për dënimin e Kezharovskit. Nga ky vendim duhet të tupërohet pushteti në Maqedoni”, tha reporteri tjetër Sasho Ordanovski.

Në fund të protestës, gazetarët të veshur në të zeza në mënyrë simbolike i kanë ndezur qiri gazetarisë në Maqedoni.

Top Channel