De Biasi firmos kontratë 2-vjeçare

24/10/2013 00:00

Xhani de Biazi do të jetë trajneri i Shqipërisë edhe për dy vitet e ardhshme. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, duket të ketë më shumë gjëra pozitive sesa negative në drejtim të trajnerit italian dhe padyshim një nga pikat më kryesore të vlerësimit ndaj tij është formimi i një skuadre që nuk e kishim të plotë në prag të eliminatoreve të sapopërfunduara.

Por, tashmë një vend i parafundit nuk është më i toleruar nga Duka. Për eliminatoret e Europianit, De Biasi ka si objektiv kontrate kualifikimin.

“Objektivi i kombëtares është kualifikimi për në “Euro 2016”. Nga plotësimi ose jo i këtij objektivi do të vendoset vazhdimi i marrëdhënies me trajnerin”, theksoi Duka.

Ndërkohë, i pyetur se cila nga skuadrat përfaqësuese është më premtuesja apo merr vlerësimin më maksimal nga presidenti Duka, është pikërisht ajo U-17, e cila brenda 4 viteve ka arritur të kualifikohet për në ‘Elite Round’.

“Djemtë e U-17 na kanë emocionuar dhe na kanë dhuruar shumë kënaqësi. Presim shumë edhe nga 19-vjeçarët”, deklaroi Duka.

Ndërkohë, De Biazi më në fund ka nxjerrë zërin për të pranuar objektivin zyrtar që ka tashmë për kontratën, atë të kualifikimit ose të paktën, për të mos e lënë më përfaqësuesen kuqezi në vendin e parafundit në grup, ashtu si në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”. Në rast përsëritjeje, ai deklaron se faji është tërësisht i tiji.

Top Channel