Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, se “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë”, është provokim direkt ndaj Serbisë.

“Nuk mund të ndodhë diçka e tillë në Evropën moderne. Ndoshta në disa sisteme të tjera po, por sa na përket neve, kjo është e pamundur”, ka thënë Daçiç.

Në anën tjetër, edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka bërë thirrje Erdogan që urgjentisht të kërkojë falje publike.

“Konsideroj se kjo deklaratë është një skandal i madh dhe i bëj thirrje Turqisë dhe kryeministrit të saj, Erdogan, të kërkojë falje publike”, ka thënë Vuçiç për mediat serbe.

“Kjo është një sjellje e papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duhet të shohim se cilat do të jenë reagimet e shteteve të tjera”, ka vijuar ai.

Të enjten reagoi edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, e cila deklaroi se, “të gjithë në botë e dinë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb, madje edhe ata që kanë pranuar këtë thuajse-shtet”.

Erdogan e bëri deklaratën gjatë qëndrimit në Kosovë, me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, ku ishin të pranishëm edhe kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

Top Channel