Komisarja e lartë për pakicat kombëtare pranë OSBE-së, Astrid Tors ka porositur deputetët e Parlamentit të Maqedonisë, që me fjalimet dhe diskutimet e tyre të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe jo në nxitjen e urrejtjes mes qytetarëve.

Pas takimit me zonjën Tosr, kryetarja e komitetit parlamentar për marrëdhënie ndëerntike, Ermira Mehmeti tha se në takim është vlerësuar se klasa politike në Shkup duhet të dijë të menaxhojë tensionet ndëretnike për të mos lejuar që ato të shfryhen jashtë institucioneve në mënyra të dhunshme.

“Në çdo shtet multietnik, siç është edhe rasti i Maqedonisë, problemet në raportet mes komuniteteve ekzistojnë dhe ato nuk mund të zgjidhen menjëherë dhe të gjitha së bashku, por është detyrë, përgjegjësi dhe mjeshtëri e të gjithë aktorëve shoqërorë, në veçanti e klasës politike, që me punën e tyre, me angazhimin e tyre të kontribuojnë për akomodimin apo menaxhimin e këtyre tensioneve”, deklaroi Mehmeti.

Lidhur me qëndrimet që deputetët shqiptarë të mazhorancës shpalosën para komisares së lartë të OSBE-së, ka reaguar partia opozitare PDSH. Ky subjekt opozitar vlerëson se, partia e Ali Ahmetit po fsheh nga ndërkombëtarët problemet reale të shqiptarëve në Maqedoni.

“Sot ishim dëshmitarë se sa rëndë BDI i shiti interesat e shqiptarëve. Edhe një herë në komitetin për marrëdhënie ndëretnike, ata thanë se gjuha shqipe është zyrtare, se shqiptarët nuk ndiqen politikisht dhe nuk ka eksod të shqiptarëve prej Maqedonisë, gjë që s’është e vërtetë”, deklaroi deputeti Orhan Ibrahimi.

Komisarja e lartë për pakica kombëtare pranë OSBE-së, Astrid Tors, një ditë më parë takoi edhe liderin e BDI-së Ali Ahmeti, me të cilin bisedoi për nevojën e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe për zgjidhjen e çështjes së emrit, si pengesë kryesore për përparimin e Maqedonisë në procesin integrues.

Top Channel