Serbët e Kosovës kanë protestuar në kryeqytetin serb kundër kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, por edhe në mbështetje të Qeverisë, pas ndalesës për të vizituar Kosovën të ministrit Aleksandar Vulin, gjë që bëri që edhe zv/kryeministri Aleksandar Vuçiç të mos shkojë në Kosovë.

Serbët e Kosovës kanë thënë se uniteti i ka kushtuar shumë, por gjithçka ka ngjarë në fushatë politike të kandidatëve nga Kosova.

“Tani jemi bashkuar, jemi marrë vesh me shtetin tonë, Serbinë, dhe ofrojmë të ardhmen më të mirë për popullin serb”, tha Zvonko Steviç, kandidat për kryetar të Gracanicës.

Aleksandar Vulin, fillimisht ka dalë dhe iu është adresuar rreth 1000 serbëve të pranishëm. Ai ka thënë se qeveria ka diskutuar në mbledhje për deklaratat e Turqisë.

“E di që çdo kërcënim i lëshuar Serbisë, së pari iu godet juve. E di sa e vështirë është të dëgjoni nga Prizreni, se Kosova është Turqi”, tha Aleksandar Vulin, ministër pa portofol për Kosovën.

Ndërkaq, më vonë, Vuçiç ka theksuar para zgjedhjeve të tre nëntorit, se do të vizitojë çdo vend në Kosovë, së bashku me Vulin. I ashpër ka qenë edhe mesazhi për kryeministrin Erdogan.

“Ne jemi më të vegjël me territor dhe me numrin e banorëve, por fytyra jonë është më e pastër dhe nuk do të lejojmë askënd të na shkelë me këmbë”, tha Vuçiç.

Mediat dhe politikanët serbë kanë kërkuar nga Turqia të kërkojë falje ndaj Serbisë.

Top Channel