Partia më e madhe maqedonase në opozitë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, ka dorëzuar në Parlament një propozim për shkarkimin e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, me arsyetimin se ky i fundit ka dëmtuar rëndë imazhin e institucionit ligjvënës, por edhe interesave shtetërore.

“Nuk kemi kërkuar interpelancë, por kemi dorëzuar një propozim për shkarkimin e kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljankovski, për të vetmen arsye se, interpelancë pretendohet në momentin kur duhet vërtetuar përgjegjësia e një funksionari, ndërsa në rastin e tij nuk kemi pse vërtetojmë gjë, sepse u dëshmua qartë që shkeli Kushtetutën dhe ligjet, kur urdhëroi dëbimin e opozitës dhe gazetarëve me dhunë vitin e kaluar”, tha Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.

Por, një propozim i tillë nuk është vendosur fare në rend dite, pasi nga mazhoranca u cilësua si tentativë e opozitës për të thelluar krizën politike në vend.

“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së i jep mbështetje të plotë kryeparlamentarit Trajko Veljankovski, ndaj dhe ky propozim-vendim i LSDM-së për shkarkimin e tij nuk ka mbështetje nga ana jonë. Këmbëngulja e opozitës është humbje kohe”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Nuk jam e sigurt, nëse opozita ka të drejtë të kërkojë dorëheqje, lidhur me diçka që ka ndodhur në një ceremoni jashtë Parlamentit, pavarësisht funksionit që ai ka si kryetar parlamenti. Besoj se grupi parlamentar do ta shqyrtojë këtë dokument, i cili sapo është dorëzuar në Kuvend, dhe do të prononcohemi lidhur me të”, theksoi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Opozita shqiptare vlerëson se kërkesa për shkarkimin e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, është një lojë e koordinuar nga opozita maqedonase dhe partia e Ali Ahmetit, BDI.

“Mos harrojmë se Suzana Salihu, nënkryetarja e Parlamentit nga BDI-ja, këtë kërkesë për interpelancë për Trajko Veljanovskin e ka dhënë nga foltorja e Parlamentit, sepse sipas saj është Trajko Veljanovski që nuk e lejon Suzana Salihun të udhëheqë më seancat plenare, në punën e Kuvendit, dhe nuk respektohet gjuha shqipe nga ana e këtij Kuvendi”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Nëse vazhdon thellimi i krizës politike, deputetët e mazhorancës nuk përjashtojnë mundësinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, si të vetmen zgjidhje për ngërçin politik.

Top Channel