Merr fund misteri i historisë me vogëlushen rome, Maria, që u gjend javën e kaluar në një kamp ciganësh në Farsala, pranë Larisës, dhe që tronditi jo vetëm Greqinë, por gjithë botën.

Analizat e ADN-së treguan se prindërit e saj biologjikë janë cigania, Saska Ruseva, dhe bashkëshorti i saj Atanas, pjesëtarë të komunitetit rom në qytetin jugor Nikolaevo, të Bullgarisë.

34-vjeçarja Ruseva mendohet ta ketë lindur vogëlushen në Lamia, qytet që ndodhet pranë kampit të romëve, ku u gjet Maria e vogël dhe, sipas dëshmive të saj, nuk ka pasur mundësi të kthehet në Bullgari bashkë me foshnjën shtatëmuajshe, pasi nuk kishte paratë e nevojshme dhe ia ka dhuruar një çifti tjetër romësh nga Greqia.

Mungesa e ngjashmërisë, midis vogëlushes dhe prindërve biologjikë, duket se shpjegohet me faktin që ajo ka lindur albine. Një tjetër fëmijë i çiftit rom është gjithashtu albin.

“Ata ngjajnë shumë, por nuk e di, nëse është shitur apo është dhuruar. Nuk mund ta fajësoj gruan, sepse nuk e kam parë me sytë e mi. Ata jetojnë në varfëri të madhe, janë kaq shumë fëmijë në një dhomë”, tha Katia, fqinje e familjes Rusev.

Si rezultat i zhvillimeve të reja, policia greke do të bëjë shumë shpejt kërkesë ndaj organeve bullgare, të sjellin në Greqi për hetim nënën e vajzës, në mënyrë që të denoncojë se si ia ka dhënë fëmijën e saj një çifti tjetër rom.

Për kushtet, në të cilat është dorëzuar fëmija, dhe nëse janë paguar parà për marrjen e saj, kërkon të hetojë edhe policia bullgare. Nëse gjendet fajtore për shitjen e fëmijës së saj, Ruseva përballet me një dënim deri në 6 vjet burg dhe me një gjobë prej 7500 euro.

“Pas një hetimi, ne do të vendosim se çfarë do të jetë më mirë për fëmijën, nëse do ta marrim atë nga familja për t’i ofruar shërbim social, e kështu me radhë”, tha Lidia Hristova, nga Departamenti i Shërbimeve Sociale.

Maria pritet të transferohet tani në një qendër mikpritjeje të asistencës sociale në Bullgari dhe në vazhdim t’i jepet për birësim një familjeje, që do të ketë kushte për ta rritur dhe edukuar.

Top Channel