Një seri aksionesh janë ndërmarrë në Bosnje për t’i thënë mjaft mohimit të krimeve të luftës dhe manipulimit politik të vuajtjeve të viktimave.

Në Bugojno, Foka dhe Konjiç, tre qytezat-simbol të tmerreve të spastrimit etnik, aktivistë të shoqatës “Mua më Intereson” kanë organizuar të premten një aksion të sinkronizuar.

Aktivistët e lëvizjes kanë vendosur lapidarë të zinj në kujtim të të gjitha viktimave të luftës së përgjakshme, bëjnë të ditur mediat evropiane.

Ndërkohë, në afërsi të qytetit të Prijedorit vazhdojnë gërmimet në zonën ku gjatë javës së shkuar u gjet një varr masiv i qindra kroatëve dhe boshnjakëve të ekzekutuar nga forcat jugosllave.

Viktimat, sipas autoriteteve, janë të pushkatuar nga forcat paraushtarake serbe në verën e vitit 1992, gjatë Luftës Boshnjake për pavarësi.

Së bashku me trupat deri tani janë gjetur gjithashtu shumë sende personale, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e eshtrave. Deri më tani janë rikuperuar mbetjet e 200 viktimave dhe eshtrat e paplota të 68 të tjerëve.

Së bashku me këtë varr masiv pranë Prijedorit, autoritetet boshnjake kanë gjetur edhe dy varre të tjera masive, në të cilat do të nisin së shpejti gërmimet.

Top Channel