Policia greke në bashkëpunim me Europolin dhe policine çeke kanë shkatërruar një organizatë të falsifikimit të dokumentave zyrtare.

Sipas policisë greke, gjatë operacionit të koduar “Lord” ranë në pranga dy shtetas algjerianë, ndërsa në Republikën Çeke janë arrestuar dhe gjashtë pjesëtarë të tjerë të organizatës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: kompjutera, skanera të rezonancës së lartë, 1.134 pasaporta, 803 karta identiteti, 50.000 kapakë plastikë të pasaportave, qindra patenta të vendeve të ndryshme dhe dhjetëra vula të autoriteteve greke e të huaja, lëndë të para që shërbejnë për falsifikimin e dokumentave, si dhe disa aparate fotografike të cilësisë së lartë.

Sipas hetuesve, organizata i fabrikonte dokumetat në tre banesa në lagjen Kipseli dhe Peristeri të kryeqytetit grek Athinë.

Autoritetet thonë se fitimet vjetore të organizatës llogariten në mbi 3milionë euro. Një pjesë e tyre dërgoheshin në Algjeri, ndërsa të tjerat harxhoheshin për jetesën luksoze të pjesëtarëve të organizatës.

Policia thotë se vazhdon hetimet për gjetjen dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të kësaj organizate të falsifikimit të dokumentave zyrtare.

Top Channel