Statusi, Fyle: Tranzicioni paqësor, rriti shanset

27/10/2013 00:00

Zgjedhjet e fundit, pjekuria e klasës politike në tranzicionin e qetë të pushtetit kanë rritur shanset e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kështu shkruan Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkeviecius, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian në një shkrim të përbashkët të titulluar “Ballkani Perëndimor dhe Turqia, mundësi të reja për zgjerimin e BE-së”.

“Shqipëria ka treguar një përmirësim të sjelljes demokratike në zgjedhjet e fundit dhe ka siguruar një tranzicion paqësor të pushtetit, duke i rritur shanset e saj për të fituar statusin e kandidatit”, – theksojnë Fyle dhe Linkevièius.

Dialogun Kosovë-Serbi, dy autorët e këtij shkrimi e sjellin si shembullin më të mirë të fuqisë transformuese të procesit të pranimit të BE-së dhe si sinjal të qartë të asaj që edhe vendimet më të vështira mund të merren nëse ka motivim dhe gatishmëri politike.

Dy ditë më parë, relatori për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, Nikola Vuljanic, paraqiti gjatë mbledhjes në Strasburg, një rezolutë në të cilin i bëhet thirrje Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Top Channel