Takimi i gjashtë i Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së ka sjellë në Tiranë delegacionin e Parlamentit Europian, të kryesuar nga Eduart Kukan.

Pasi ka ndërmarrë takime me presidentin e Republikës, kryeministrin Rama, kryeparlamentin Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, delegacioni u mblodh në takimin e parë të komitetit të përbashkët për diskutimin e një sërë çështjeve që i janë vënë Shqipërisë si kushte për integrimin, ku korrupsioni mbetet sërish në krye.

Përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës kanë qenë bashkë në deklarimin se Shqipëria meriton statusin në dhjetor, por edhe në këtë takim ata janë shfaqur akuzuës ndaj njëri-tjetrit.

Këtë herë ka qenë Partia Demokratike që ngriti gishtin drejt qeverisë së re, për një sërë aksionesh arbitrare, sipas saj, si akti normativ për buxhetin, shkarkimet në admistratë e deri tek reforma në polici.

“Po ngre me shqetësim këtë situatë të papranueshme, me akte jolegjitime në shkelje me shtetin ligjor dhe vendime arbitrare. Për të gjitha këto PD ka bërë padi penale ndaj kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Shpresoj që kryeministri këto kallëzime t’i mbështesë ashtu sikurse mbështet hetimin ndaj Shpëtim Gjikës”, deklaroi Majlinda Bregu, kryetare e komisionit të integrimit.

“Policia nisej në aksion për ndalimin e elementëve kriminalë, ndërkohë që elementë brenda policisë informonin kriminelët. Aksionet e deritanishme të policisë kanë treguar se brenda Policisë së Shtetit ka elementë të inkriminuar, problem ky që duhet adresuar”, u përgjigj deputeti Taulant Balla.

Por akuzat reciproke ngjallën reagmin e përfaqësuesve të Parlamentit Europian. “Diskutime të tilla, prej dy orësh, duke akuzuar njëra palë tjetrën, nuk ju ndihmojnë juve. Nuk është diskutimi juaj që bind BE-në se ju po luftoni korrupsionin dhe korrupsioni po ulet. Lufta që po bëni kundër korrupsionit nuk duhet të jetë për të bindur BE-në. Kjo nuk është e rëndësishme. Nuk është e rëndësishme të bindni askënd. Ju nuk do të jeni në gjendje të funksiononi sipas ligjeve të BE-së me këtë nivel korrupsioni, ju thjesht nuk do të jeni në gjendje të funksiononi si shtet dhe kjo është çështja. Të akuzoni njëri-tjetrin është komplet e pavend. Nuk nuk e di pse e bëni shpesh”, deklaroi Nikola Vuljanoviç.

Duke inkurajuar qeverinë e re që të vijojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ambasadori i BE, Ettore Sequi dhe eurodeputetja Tanja Fajon dekluruan se statusi në dhjetor për Shqipërinë është i mundshëm dhe i merituar pas progresit të arritur.

Të njejtin mesazh dha edhe kreu i delegacionit të PE, Eduart Kukan, më herët. I ftuar nderi në Akademinë Diplomatike në Ministrinë e Jashtme.

“Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në dhjetor. Por vendi juaj duhet të transmetojë besim për progresin në Bruksel dhe gjithëpërfshirje politike. Marrja e statusit nuk kërkon vetëm angazhimin e Ministrisë së Jashtme, por veprime konkrete për korrupsionin dhe krimin, për të bindur edhe skeptikët”, deklaroi Kukan.

Konkluzionet e takimit Shqipëri-BE do të bëhen të martën në mesditë dhe ato paraprijnë vendimin e Këshillit Europian për statusin e vendit kandidat në dhjetor.

Top Channel