Përfaqësuesit e kreditorëve ndërkombëtarë të Greqisë kanë shtyrë kthimin e tyre në Athinë, i parashikuar për sot, në 4 nëntor.

Veprimi duket si një shenjë e qartë e vështirësive në bisedimet me qeverinë greke në lidhje me çështjen e “gropës” së bilancit të vitit 2014.

Sipas trojkës, shifra arrin në 2 miliardë euro dhe duhet të mbulohet duke zbatuar masa të reja anti-krizë, ndërsa sipas ministrisë së Financave ajo nuk kalon 500 milionë euro dhe mund të mbulohet me shkurtimet për shpenzimet publike.

E përjashtuar nga tregjet financiare prej vitit 2010, Greqia është mbajtur gjallë me dy paketat kolosale të ndihmës, prej gati 240 miliardë euro, nga BE, BQE dhe FMN.

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm synon një defiçit të përgjithshëm të qeverisë prej vetëm 2,4% të PBB-së, por borxhi publik mbetet në nivelet më të larta, duke shkuar në 174,5% të PBB.

Greqia shpreson në një reduktim të tij, për ta bërë atë të qëndrueshëm, por deri tani asnjë prej kreditorëve, aq më tepër Gjermania, nuk pranojnë as ta përmendin këtë zgjidhje financiare.

Më herët gjatë muajit, zv/ministri i Financave, Christos Staikuras bëri një deklaratë optimiste kur tha se në fund të 2013-s arrihet një sufiçit primar, edhe pse i vogël prej 340 milionë euro, fakt që do të thotë se nuk do krijohet më borxh të ri.

Top Channel