Lokalet, FRD pranon ftesën e PS. Reagon PD

28/10/2013 00:00

Pak ditë para se të mbahen zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Korçës, disa prej partive të vogla kanë deklaruar mbështetjen e tyre ndaj kandidatit të së majtës, Sotiraq Filo.

Ftesës së një dite më parë nga Sotiraq Filo, i cili hapi rrugën për bashkëpunim me FRD, kjo parti i është përgjigjur pozitivisht.

“Në konsultim me drejtuesit e degës së Frymës së Re Demokratike të Korçës dhe drejtuesit politik të FRD-së në qendër, në respekt të plotë të firmëtarëve të listave mbështetëse dhe demokratëve të vërtetë idealistë të qytetit tim vendosëm të pranojmë këtë ftesë për bashkëpunim duke vlerësuar detyrën e kryebashkiakut si një mision në shërbim të përparimit dhe zhvillimit të qytetit të Korçës, me të cilin kemi lidhur fatet, ëndrrat dhe shpresat, për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha Brikena Zeneli, FRD.

Deklarata, që konfirmoi bashkëpunimin e FRD me të majtët e Korçës, është pasuar edhe nga dy parti të tjera të vogla, Partia Demokristiane dhe Partia Aleanca Demokristiane.

“Partia Aleanca Demokristiane, nëpërmjet kësaj deklarate, kërkon të shprehë mbështetjen e saj për kandidatin e PS-së, Sotiraq Filo, për kreun e Bashkisë së Korçës”, tha Edmond Durimi, Partia Aleanca Demokristiane.

“Duke vlerësuar kandidatin e majtë për kreun e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, si dhe projektet e tij për Korçën Partia Demokristiane del në mbështetje të plotë të fitores së tij në zgjedhjet e 3 nëntorit”, tha Edmond Skenderasi, Partia Demokristiane.

Lajmi për vendosjen e një ure bashkëpunimi, mes kandidatit të majtë Sotiraq Filo dhe disa partive të tjera, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të degës lokale të PD.

“Aleanca vendore FRD-PS vërtetoi edhe njëherë mençurinë e korçarëve e mbarë shqiptarëve, që më 23 qershor braktisën në mënyrë spektakolare partinë Fryma e Re Demokratike, si një parti aspak e frymës së re demokratike, por e interesave të ngushta personale e financiare. Shoku kandidat, i dëshpëruar, i hutuar dhe i çorientuar po kërkon strehë dhe mbështetje te fraksione, shoqata e grupime të vogla, dhe po u shtrin dorën disa partive inferiore”, tha Gjergji Grabocka, Partia Demokratike.

Zgjedhjet e parakohshme në Korçë vijnë pas dorëheqjes së Niko Peleshit, i cili mban tashmë postin e zv/kryeministrit të Shqipërisë. Në këto zgjedhje përballen Sotiraq Filo, nën siglën e së majtës, dhe Sotiraq Stratobërdha, nga PD.

Top Channel