Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se pushteti në Maqedoni ka vënë në kontroll të plotë gjykatat dhe ky problem është evidentuar edhe në raportin e fundit të progresit, por me një gjuhë diplomatike, ku thuhet se drejtësia në Maqedoni është selektive.

Deputetja e PDSH-së, Merale Uzeiri Ferati tha se për politizimin e kësaj sfere më së miri flasin rastet gjyqësore, ku pa fakte janë dënuar dhjetëra shqiptarë me qindra vite burg.

“Vlen të përmendim rastin ‘Monstra’, proces i cili kurrësesi s’ka fund. Përmes këtij rasti qeveria e VMRO-DPMNE dhe BDI po tenton t’i paraqesë shqiptarët si ekstremistë dhe terroristë”, deklaroi Ferati.

Për rëndësinë që Komisioni Evropian në raportin e fundit i kushton forcimit të pavarësisë dhe efikasitetit të gjykatave foli edhe zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, i cili megjithatë tha se në këtë fushë vitet e fundit është shënuar progres.

“Sa i përket gjyqësorit theksohet se reformat që janë realizuar paraqesin një avancim të gjyësorit në dekadën që ka shkuar, por ritheksohet rëndësia për të forcuar pavarësinë dhe efikasitetin e tyre në vend”, deklaroi Besimi.

Brukseli, sipas zv/kryeministit Besimi, përveç efikasitetit dhe pavarësisë së gjykatave, kërkon nga isntitucionet e vendit që të mbeten të përkushtuara edhe në luftën kundër korrupsionit, sundimin e së drejtës, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe zgjidhjen e çështjes së emrit.

Top Channel