Pllaka përkujtimore në sheshin e Shkupit, që tregon vendndodhjen e shtëpisë ku kishte lindur Nënë Tereza së shpejti pritet të largohet, pasi në këtë vendndodhje është parashikuar të ndërtohet një kompleks tregtar.

Një kompani private ka blerë truallin nga autoritetet e Shkupit për 1,6 milion euro dhe së shpejti pritet të nisin ndërtimet. Me këtë vendim, sipas historianëve zhduken edhe gjurmët e fundit të lagjës së katolikëve shqiptarë, që dikur kanë jetuar në këtë pjesë të Shkupit, ku tani ndodhet sheshi i kryeqytetit.

“Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë reagon ashpër për asgjesimin e elementit të fundit shqiptar në sheshin e Shkupit, pikërisht në vendin ku më parë ishte lagjia e katolikëve shqiptarë të Shkupit dhe ku kishte lindur dhe rritur Nënë Tereza. Me asgjësimin e saj bëhet edhe zhdukja e elementit të fundit shqiptar në sheshin e Shkupit. i apeloj faktorit politik shqiptar që të lerë konfliktet mes njëri-tjetrit dhe të gjejë një vullnet të përbashkët rreth mbrotjes së këtij elementi”, deklaroi Skënder Hasani, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni.

Lidhur me këtë vendim të autoriteteve maqedonase ka reaguar edhe nipi i humanistes, Alojz Gombar, i cili ka kërkuar kthimin e pronës. Por, pretendimet e tij për pronësinë mbi këtë troall i ka hedhur poshtë Ministri i Transportit dhe Komunikimit, Mile Janakievski, i cili ka thënë se emri i tij nuk përmendet në dokumentacionet e pronësisë.

Katër vite më parë u ngrit një iniciativë për ndërtimin e një kishe ortodokse në këtë vend dhe me atë rast, autoritetet maqedonase morën vendim për të ngritur një shtëpi përkujtimore për humanisten, por në një vend tjetër, disa qindra metra më larg nga banesa e saj e vërtetë.  Për shkak të reagimeve të shumta kisha nuk u ndërtua asnjëherë.

Top Channel