Ministrja e Shëndetësisë së Serbisë, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, është ndër ministret e para të Qeverisë së Serbisë, që ka vizituar shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Gjatë vizitës së saj në Shtëpinë e Shëndetit, e posaçërisht maternitetin që është duke u ndërtuar, ajo ka premtuar se do të kujdeset më shumë për shqiptarët në këtë zonë në jug të Serbisë.

“Kemi nisur nga një temë e rëndësishme siç është materniteti dhe kemi folur se si të përfundojmë punën. Ne do të mundohemi të sigurojmë të gjitha pajisjet dhe funksionimin e spitalit. Është kënaqësi të përmbushim përgjegjësitë që ka marrë qeveria më 11 tetor, me kryeministrin në qeverinë e Serbisë”, tha Slavica Djukiç Dejanoviç, ministre e Shëndetësisë.

“Padyshim që kënaqësia është edhe e jona, sepse nuk do të kemi tanimë hapësirë të debateve politike, qofshin dhe ato profesionale e në emër të shëndetësisë nëpërmjet mediave elektronike dhe të shkruara, por drejtpërdrejtë të ulemi e të bisedojmë me ministren, që ka treguar një gatishmëri të qëndrimit të saj 3 ditor në Preshevë dhe konsideroj se hapat e parë të zgjidhjes së problemeve do fillojnë sot”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Presheva dhe Bujanoci nuk kanë një spital të mirëfilltë dhe për shërbime shkojnë në qytetin e Vrajës, mbi 40 kilometra nga vendbanimet e tyre. Tema e maternitetit është përmendur edhe nga qeveria shqiptare, por, pas heqjes së lapidarit, ministri shqiptar i Shëndetësisë atëherë kishte anuluar vizitën.

Ministrja serbe ka takuar të gjithë liderët dhe ka thënë se është folur për shëndetësinë dhe jo për politikën. Ky është hapi i parë pas pritjes që organizoi kryeministri Ivica Daçiç për politikanët shqiptarë.

Top Channel