Bisedimet SHBA-Gjermani për përgjimet

30/10/2013 00:00

Në Uashington delegacioni gjerman i përbërë nga specialistë të inteligjencës dhe diplomatë nisi takimet me zyrtarët amerikanë për të biseduar në lidhje me skandalin e përgjimeve, që zemëroi së tepërmi Berlinin, sidomos kur u mësua se viktimë e tij ishte edhe vetë kancelarja Angela Merkel.

Këshilltari për politikën e jashtme i Merkel dhe koordinatori i shërbimeve inteligjente të Gjermanisë do të zhvillojnë bisedime në Shtëpinë e Bardhë.

Më herët, kreu i inteligjencës amerikane mbrojti politikat e “spiunimit” të udhëheqësve të vendeve aleate duke i quajtur ato si pjesa kyçe e gjithë operacioneve të përgjimeve.

Raportimet flasin edhe për përgjim të diplomatë francezë në Uashington dhe Nju Jork, përvec miliona telefonatave të qytetarëve francezë dhe spanjollë të përgjuara ndër vite.

Përgjohet edhe Papa

Përgjimeve të Agjencisë Amerikane të Sigurisë së Brendshme, NSA nuk i ka shpëtuar as Vatikani.

Sipas mediave italiane, mes 46 milion telefonatave të përgjuara nga 10 dhjetori 2012 deri më 8 janar 2013, janë edhe thirrjet hyrëse dhe dalëse të Papës Benedikti XVI. Të njëjtat burime thonë se përgjimeve nuk u kanë shpëtuar as kardinalët që do të zgjidhnin Atin e Shenjtë, pas dorëheqjes së Benediktit.

Kjo do të thotë që është Papa Francesku, në atë kohë kardinal, është përgjuar nga NSA. Kjo përforcohet më shumë edhe nga dokumentet e rrjedhura në skandalin e “Ëikileaks”, ku thuhej se kardinali Bergolglio ishte nën lupën e inteligjencës amerikane që prej 2005-ës.

Sipas gazetës së përjavëshme italiane “Panorama”, që del në botim të enjten, në Ambasadën Amerikane në Romë “strehohej” një qelizë e “Special Collection Service”, grupi që merrej me përgjimin dhe sigurimin e të dhënave nëpërmjet rrugëve speciale.

Top Channel