Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka kryer një vizitë zyrtare në Athinë, i ftuar dhe nga Forumi greko-rus, që feston 185 vitet e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe të shpalljes së Joanis Kapodistrias si kryeminister i parë i Greqisë. Kreu i diplomacisë ruse ka shprehur mbështetjen e Moskës në përpjekjet që bën Athina për daljen nga kriza.

“Ne mbështesim përpjekjet e qeverisë për të kapërcyer disa vështirësi në sektorin ekonimik. Kemi parë përparimin tuaj dhe do të mbështesin përpjekjet tuaja në çdo lloj mënyre që të mundemi, moralisht, por edhe duke nxitur tregtinë dhe bashkëpunimin tonë ekonomik”, ka deklaruar Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus ka theksuar se do të shtohen marrëveshjet bilaterale në shumë sektorë, sidomos në atë të turizmit, duke vënë në dukje se vetëm sivjet turistët rusë në Greqi ishin më shumë se 1 milion.

“Unë mendoj se këto marrëdhënie strategjike janë shumë të rëndësishme për të dy vendet dhe ky është një element i rëndësishëm për politikën tonë të jashtme. Unë mendoj se ne kemi vullnetin politik për t’i mbajtur aktive marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për t’i sjellë ato në nivelin e nevojshëm”, ka deklaruar nga ana tjetër kryeministri grek Andonis Samaras.

Lavrov është takuar gjithashtu me presidentin grek Karolos Papoulias dhe ministrin e Mbrojtjes, Dhimitris Avramopoulos, ndërsa në konferencën mbi marrëdhëniet greko-ruse ai ka theksuar se Greqia për Rusinë është një mik i sprovuar dhe partner i besueshëm me pikëpamje të njëjta, ose shumë të afërta në çështjet ndërkombëtare.

Në axhendën e diplomatit rus vend të veçantë kanë zënë bisedimet e gjera me homologun e tij grek Evangjelos Venizelos, si dhe ato midis përfaqësive të të dy vendeve për nënshkrimin e disa marrëveshjeve tregetare dypalëshe.

Rusia, që ka lidhje të vjetra politike dhe kulturore me Greqinë, është e interesuar veçanërisht për hartën energjitike të Mesdheut Juglindor, programin grek të privatizimeve dhe pjesëmarrjen në të të kompanive ruse. Kompania shtetërore e shpërndarjes së gazit natyror, DEPA, që pritet të privatizohet, është një pikë tjetër interesi për investitorët rusë.

Është bërë tashmë i njohur edhe fakti që kompania ruse e hekurudhave, RZD, kërkon të blejë kompaninë greke TRAINOSE dhe kjo shpjegon dhe mbërritjen në Athinë të menaxherit të kësaj kompanie, Vladimir Jakunin.

Top Channel