Propozimi i palës greke që emri i ri i Maqedonisë të jetë “Maqedonia Sllavo-Shqiptare”, edhe po të zyrtarizohej do të ishte i papranueshëm për dy komunitetet më të mëdha në këtë vend, maqedonasit dhe shqiptarët.

Kështu e komentojnë analistët në Shkup variantin e ri të palës greke për zgjidhjen e çështjes së emrit, që sipas mediave maqedonase u propozua javën e kaluar në Nju Jork, gjatë negociatave për tejkalimin e kontestit bilateral mes Shkupit dhe Athinës.

“Emërtimi “Maqedonia Sllavo-Shqiptare” do të ishte i papranueshëm për palën maqedonase, që nuk do të lejonte në asnjë mënyrë që emërtimi “shqiptare” të jetë në kuadër emrit të ri të Maqedonisë. Gjithashtu, nuk do të ishte i pranueshëm as për palën shqiptare, e cila në asnjë mënyrë nuk do të lejojë identifikimin e shtetit me maqedonasit sllavë”, thotë analisti Sefer Tahiri.

Analistët e cilësojnë të pasinqertë këtë variant, duke thënë se qëllimi I autorit të tij është vetëm të dobësojë qëndrimin e palës kundërshtare në negociatat lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë.

“Nëse gjykojmë në aspektin politik, nuk është se tingëllon si diçka serioze, prandaj konsideroj se duhet ta lëmë menjanë dhe njerëzit të fillojnë të mendojnë se çfarë në të vërtetë po ndodh rreth kontestit të emrit të Maqedonisë”, thotë politologu Ismail Sinani.

Nga partia shqiptare në qeverinë e Shkupit, BDI, thanë se nuk ka asnjë propozim zyrtar për emërtimin e vendit “Maqedonia Sllavo-Shqiptare”.

Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani tha se nuk mund të bëjë asnjë koment për një variant i cili është përmendur vetëm në media. Ai më tej sqaroi se deklarata e botuar në shtypin maqedonas, se BDI është kundër këtij emërtimi, është keqinterpretuar.

Ndërkohë, në mungesë të një pronocimi zyrtar nga Athinë, gazeta greke “Ethnos” ka sqaruar se propozimi është përmendur gjatë takimit të ndëmjetësit ndërkombëtar Metju Nimetz me palën greke në Athinë muaj më parë, por jo si një propozim konkret.

Top Channel