Partia e shqiptare në qeverinë e Shkupit, Bashkimi Demokratik për Integrim, po mundohet ta fshehë dështimin e Maqedonisë në procesin integrues të theksuar në raportin e fundit të progresit, pasi kuadrot e saj drejtojnë ministritë përgjegjëse për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Kështu u shpreh deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, i cili kërkoi nga drejtuesi i BDI-së Ali Ahmeti të japë llogari para shqiptarëve për ato që i quajti “premtimet e rreme parazgjedhore”, se BDI do të integrojë vendin në NATO dhe BE.

“Në krye të kësaj tragji-komedie është vendosur BDI, sepse ata udhëheqin euro-integrimet. Pra, Fatmir Besimi dhe vetë Ali Ahmeti. Këta të dy, duke i ikur llogaridhënies për punët, hallet dhe problemet e shqiptarëve këtu, i vendosën vetes prioritete të tjera, fare pa e ditur se çfarë do të thotë ‘eurointegrime’”, deklaroi Fazliu.

Me këto akuza nuk është pajtuar deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, e cila pohimet e deputetit të PDSH-së i quajti pjesë të retorikës opozitare.

“Mendoj se BDI ka arritur të lërë shenja pozitive në menaxhimin e procesit eurointegrues të vendit, por fatkeqësia qëndron në faktin se zgjidhja e çështjes së emrit, respektivish kontesti i hapur me Greqinë, është një çështje që pa u tejkaluar Maqedonia nuk mund të bëjë hapin e duhur dhe të merituar përpara”, deklaroi Mehmeti.

Një ditë më parë, raportuesi i Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Richard Howit tha se çështja e emrit nuk është pengesa e vetme për përparimin e Shkupit në procesin euro-integrues.

Ai foli edhe për tre çështje të tjera që vendi duhet t’i përmbushë deri në dhjetor për të marrë datën për çelejn e negociatave për anëtarësim në BE, siç janë progresi në fushën e lirisë së shprehjes, forcimi i dialogut politik dhe përmirësimi i raporteve me Bullgarinë.

Top Channel