Mijëra pensionistë grekë kanë vërshuar në rrugët e Athinë për të protestuar kundër shkurtimeve të reja në pensionet e tyre. Ata deklarojnë se janë vazhdimisht në luftë për mbijetesë, pasi të ardhurat e tyre janë redukutar më shumë se 50 për qind gjatë viteve të fundit të krizës.

Në të njëjtën kohë, ata duhet të paguajnë më shumë taksa, ndërsa çmimet e artikujve të përditshëm jo vetëm që nuk bien, por vazhdojnë të rriten. Vetëm nga skema më e madhe e sigurimeve shoqërore, IKA, mbi 1 milion pensionistë marrin më pak se 600 euro, ndërkohë që numri i pensionistëve në gjithë Greqinë llogaritet në 2.7 milionë.

“Nga momenti që dikush lind, duhet të ketë mendjen për fundin e tij, që është pensioni dhe jo vetëm për atë. Janë edhe përfitimet sociale, jo vetëm të ardhurat. Nuk mund të paguash edhe mjekun, edhe ilaçet, edhe taksat, edhe ushqimet e përditshme, pushimet, etj. Të gjitha po i reduktojnë në maksimum”, thotë pensionistja Xrisoula Andonopullu.

Bashkë me pensionistët kanë protestuar edhe personat me aftësi të kufizuara, pasi edhe për ta janë kryer shkurtime në të ardhura, ndërsa ka raste që ka vonesa në pagesa. Proceset e aplikimit për përfitimet nga aftësitë e kufizuara janë bërë edhe më të rrepta në mënyrë që të përjashtohen nga to një numër i konsiderueshëm personash, thonë ata.

“As një palë këpucë nuk mund të marrim. Mbajmë të vjetrat që kemi. As rroba, asgjë. Dhe midis të tjerash është dhe papunësia që ka gjunjëzuar fëmijët tanë dhe kështu është krijuar një situatë e padurueshme që nuk mund të përshkruhet”, shprehet Kostas Dimopoulos.

Greqia mban për momentin tre rekorde negative nga vendet anëtare të BE: Ka numrin më të madh të të papunëve, 27.6% të popullsisë aktive, 31% papunësi tek grate dhe 57.3% tek të rinjtë nën moshën 25 vjeç.

Protestat e reja vijnë pasi qeveria do t’i nënshtrohet një inspektimi të ri nga trojka, ekspertët e të cilës mbërrijnë në kryeqytetin grek javën e ardhshme për të shqyrtuar nëse Athina po përmbush objektivat e saj financiare të nevojshme për të marrë paketën e shpëtimit.

Për shkak të një boshllëku të madh fiskal në vitin 2014, kreditorët e Greqisë kërkojnë më shumë masa të reja shtrënguese, megjithëse qeveria deklaron se ka përjashtuar nga axhenda e saj shkurtime të mëtejshme të pensioneve dhe pagave.

Top Channel