Përfaqësuesit e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski thonë se në disa media në Maqedoni, kohëve të fundit po derdhen fonde të shumta nga burime të panjohura, me të vetmin qëllim për të rrëzuar qeverinë aktuale.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski tha se këto informacione dalin nga vetë gazetarët të cilët e pranojnë se marrin urdhëra nga partia opozitare Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë për punën që bëjnë.

“Në dy muajt e fundit në opinion dolën informacione se në Maqedoni ekzistojnë media që marrin fonde për ta rrëzuar qeverinë. Këtë gjë e pohojnë vetë gazetarët që thonë se marrin instruksione se në shtabin e LSDM-së për punën që bëjnë. Ne do të interesohemi për çfarë parash bëhet fjalë, për burimin e tyre dhe si është mënyra e transferimit të atyre parave. Mendoj se Parlamenti është vendi adekuat për të biseduar këto çështje”, deklaroi Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por opozita maqedonase këto pohime të deputetit Ilija Dimovski i cilëson si tentativë të mazhorancës për të mbuluar situatën e rëndë në të cilën ndodhen mediat në Maqedoni.

“Me dënimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, Maqedonia bëhet vend i vetëm në historinë e vendeve evropiane, ku me vendim të gjykatës një gazetar dënohet me katër vite e gjysmë burg, jo për ndonjë vepër penale, por për një tekst të botuar në gazetë. Përveç kësaj, pushteti ndërmori edhe një veprim skandaloz, kur pengoi gazetarët për të protestuar në mbrotje të kolegut të tyre. Për këtë duhet të bartet përgjegjësi, pasi kështu shkelen të drejtat themelore të njeriut”, deklaroi Vesna Bendevka, deputete e LSDM-së.

Deputetët u përplasën edhe lidhur me akuzat e opozitës për keqpërdorimin e masës së paraburimit nga pushteti për të diskredituar kundërshtarët politikë.

Polemikat u zhvilluan në komisionin parlamentar për sistemin politik, ku u konstatua nevoja për organizimin e një debati në Kuvend lidhur me respektimin e të drejtës së prezumimit të pafajësisë dhe lirisë së shprehjes.

Top Channel