Me reagime të ndryshme kanë pritur grekët hapjen për herë të parë pas 100 vitesh të dyqaneve tetë të diela në vit në gjithë vendin sipas vendimit të fundit të qeverisë.

Qindra nëpunës të sektorit të tregtisë kanë protestuar dhe kanë shprehur kundërshtimin e tyre duke deklaruar se bizneset e vogla, tashmë të goditura rëndë nga kriza, nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë duke punuar edhe një ditë më shumë në javë.

Tasos Tzanis, nëpunës shtetëror, u shpreh: “Nëse njerëzit kanë para’, ata mund të blejne gjatë gjithë javës dhe të shtunave. Por, nuk kemi më të holla kështu siç kanë shkuar gjërat dhe këto masa gjoja për zhvillim, janë të cunguara. Sipas mendimit tim, nuk duhet të hapen dyqanet të dielave.”
 
E diela është tradicionalisht një ditë që familjet në Greqi e kalojnë së bashku dhe shumë nepunës të këtij sektori kanë deklaruar se do të jetë shumë e vështirë për ta që të punojnë edhe në fundjavë. Por, me gjithë protestat dhe reagimet, dyqanet dhe supermarketet kanë qenë të mbushura plot me klientë të joshur nga ofertat që sapo kanë nisur në Athinë, Selanik, Patra dhe qytetet e tjera të mëdha të vendit.

Një shitëse deklaroi: “Është skandaloze që dyqanet janë hapur të dielave, kjo është e papranueshme dhe unë nuk mund të besoj se të gjithë këta njerëz kanë ardhur këtu sot. Askush nuk duhet të ishte sot këtu për të bërë pazar.”
 
Nga ana e saj, Dhoma e Tregtisë në Athinë që e ka pritur me kënaqësi vërshimin e blerësve shprehet se nëse bizneset do të mbeten të hapura edhe të dielave, këtë do ta vendosë vetë tregu. Palëvizshmëria nuk mund të jetë recetë për daljen nga kriza, ka deklaruar edhe zv/ministri i Zhvillimit që ka theksuar se kjo masë do të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës në një kohë që papunësia shënon rekorde negative çdo muaj.

Top Channel